Reformë rrënjësore në AKU…

Sot, në ambientet e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit u zhvillua takimi i Inspektorit të Përgjithshëm Z. Shkëlqim Hajdari me Kryeinspektorin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Z. Agim Ismaili, për të diskutuar zbatimin e Rregullores si një proces i rregullt ligjor, si dhe implementimin e zëvendësimit të kryerjes së inspektimeve online nga pajisjet laptop e printer, në sistemin e tabletës. Të pranishëm në takim ishin dhe 12 Kryeinspektorët e Drejtorive Rajonale të AKU-së.
Kryeinspektori i AKU-së Z. Ismali, në fjalën e tij, falënderoi Inspektoratin Qendror për mbështetjen permanente që i ka mundësuar këtij inspektorati nëpërmjet Urdhrave, Udhëzimeve, Rregulloreve dhe pajisjeve të një teknologjie të lartë (tabletave), për kryerjen e procesit të inspektimit si një proces i rregullt administrativ.
Inspektori i Përgjithshëm Z. Shkëlqim Hajdari theksoi në fjalën e tij, se Kryeministri Rama dhe Qeveria Shqiptare, dhe unë si Inspektor i Përgjithshëm, kemi prioritet absolut, rritjen e elementëve të sigurisë ushqimore në Shqipëri, të cilat për nga rëndësia përbejnë elemente të sigurisë kombëtare për ruajtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve. Nëpërmjet procedurave të rregullta ligjore të Inspektimeve, transparente, ligjore, me analizë risku, të programuara, online, duhet të synohet të ulet barra administrative ndaj bizneseve të ndershme dhe nga ana tjetër të formalizohen e standardizohen biznese dhe aktivitetet prodhuese që kanë probleme në ushtrimin e aktivitetit të tyre. Njëkohësisht, ka filluar trajnimi i trupave të inspektimit për përdorimin e tabletës, e cila do të filmojë dhe tregojë në kohë reale të gjithë procesin e inspektimit. U dakordësua që në fillim të muajit Dhjetor, në Tiranë , Shkodër dhe Vlorë, Inspektori i Përgjithshëm dhe punonjësit e IQ, të trajnojnë të gjithë trupën e inspektoreve të AKU-së në Republikën e Shqipërisë.

Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit e trupave inspektuese

Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, z. Dashnor Sula, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit  e trupave inspektuese aktuale, të cilat do ti nënshtrohen ristrukturimit dhe riorganizimit të trupave inspektuese në inspektorate qendrore, në zbatim të ligjit për inspektimin nr. 99/2024.

Gjatë takimeve u theksua rëndësia e angazhimit të plotë të të gjitha strukturave aktuale dhe ministrive përgjegjëse në realizimin dhe finalizimin me sukses të kësaj reforme.

Ristrukturimi i inspektorateve ndodhet në një fazë delikate dhe vendimtare dhe për këtë qëllim  Inspektorati i Përgjithshëm, përmes ngritjes së grupeve të posaçme të punës, do të ofrojë të gjithë asistencën e nevojshme për të garantuar mbarëvajtjen e këtij procesi, për krijimin e strukturave optimale në ushtrimin sa më efektiv dhe eficient të veprimtarisë inspektuese.

Gjithashtu, u bë e ditur iniciativa e Inspektorit të Përgjithshëm për ngritjen e një grupi paralel pune, i cili do të punojë për harmonizimin e strukturave dhe lidhjen e pagave, me pozicionet e punës, me funksione inspektimi, në të gjitha inspektoratet qendrore, me përfaqësues nga Inspektorati i Përgjithshëm, ministritë e linjës dhe strukturat aktuale inspektuese.

Një rëndësi të veçantë pati ritheksimi i faktit se, nuk do të ketë asnjë tolerim në lidhje me zbatimin rigoroz të detyrimeve që parashikon ligji nr. 99/2024 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”  për të gjitha strukturat inspektuese. Zbatimi i plotë dhe i njëtrajtshëm i këtij ligji do të garantojë kalimin drejt një sistemi inspektimi të standardizuar, të dixhitalizuar dhe të planifikuar mbi bazë të analizës së riskut, duke rritur transparencën, efikasitetin dhe barazinë në trajtimin e subjekteve të inspektimit