Inspektori i Përgjithshëm Z. Dashnor Sula vlerëson Raportin Vjetor të AKSEM: Siguria në miniera, prioritet absolut

Inspektori i Përgjithshëm, z. Dashnor Sula, ishte i pranishëm në analizën vjetore të Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, ku u vlerësua puna dhe angazhimi i kësaj strukture në një sektor me rëndësi të veçantë për ekonominë dhe sigurinë publike.

Gjatë fjalës së tij, Inspektori i Përgjithshëm shprehu konsideratën e lartë për përkushtimin dhe profesionalizmin e trupës inspektuese, duke theksuar rolin e saj kyç në parandalimin e aksidenteve dhe avarive në aktivitetin minerar. Ai nënvizoi se, pavarësisht sfidave të shumta me të cilat përballet sektori – miniera me histori të gjatë operimi, teknologji të amortizuara, si dhe mungesë të specialistëve të rinj për shkak të interesit të ulët të brezave të rinj për këtë fushë – është realizuar një punë e konsiderueshme për garantimin e mbarëvajtjes së aktivitetit minerar dhe forcimin e standardeve të sigurisë në punë.

Në fjalën e tij ai theksoi gjithashtu se specifika e këtij sektori bën që performanca shpesh të matet përmes numrit të aksidenteve dhe avarive të ndodhura, duke qenë se funksioni thelbësor i institucionit është parandalimi dhe jo sanksionimi. Në këtë kuadër, u theksua se jeta dhe shëndeti i çdo punëtori përbëjnë vlerën më të çmuar dhe prioritetin absolut të çdo ndërhyrjeje institucionale.

Në përmbyllje, u garantua se Inspektorati i Përgjithshëm do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të mbështetur këtë autoritet në aspektin teknik dhe metodologjik, përmes ofrimit të asistencës së specializuar dhe mbështetjes teknologjike, me qëllim rritjen e mëtejshme të eficiencës dhe efektivitetit në ushtrimin e funksioneve të tij.

Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit e trupave inspektuese

Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, z. Dashnor Sula, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit  e trupave inspektuese aktuale, të cilat do ti nënshtrohen ristrukturimit dhe riorganizimit të trupave inspektuese në inspektorate qendrore, në zbatim të ligjit për inspektimin nr. 99/2024.

Gjatë takimeve u theksua rëndësia e angazhimit të plotë të të gjitha strukturave aktuale dhe ministrive përgjegjëse në realizimin dhe finalizimin me sukses të kësaj reforme.

Ristrukturimi i inspektorateve ndodhet në një fazë delikate dhe vendimtare dhe për këtë qëllim  Inspektorati i Përgjithshëm, përmes ngritjes së grupeve të posaçme të punës, do të ofrojë të gjithë asistencën e nevojshme për të garantuar mbarëvajtjen e këtij procesi, për krijimin e strukturave optimale në ushtrimin sa më efektiv dhe eficient të veprimtarisë inspektuese.

Gjithashtu, u bë e ditur iniciativa e Inspektorit të Përgjithshëm për ngritjen e një grupi paralel pune, i cili do të punojë për harmonizimin e strukturave dhe lidhjen e pagave, me pozicionet e punës, me funksione inspektimi, në të gjitha inspektoratet qendrore, me përfaqësues nga Inspektorati i Përgjithshëm, ministritë e linjës dhe strukturat aktuale inspektuese.

Një rëndësi të veçantë pati ritheksimi i faktit se, nuk do të ketë asnjë tolerim në lidhje me zbatimin rigoroz të detyrimeve që parashikon ligji nr. 99/2024 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”  për të gjitha strukturat inspektuese. Zbatimi i plotë dhe i njëtrajtshëm i këtij ligji do të garantojë kalimin drejt një sistemi inspektimi të standardizuar, të dixhitalizuar dhe të planifikuar mbi bazë të analizës së riskut, duke rritur transparencën, efikasitetin dhe barazinë në trajtimin e subjekteve të inspektimit