DEKLARATË PËR SHTYP

Asnjë incident nuk do të kalojë pa përgjegjësi. Pas ngjarjes së ndodhur, Inspektorati i Përgjithshëm ka marrë menjëherë masat administrative dhe ligjore ndaj personave të përfshirë.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit zyrtar nga IKMT, strukturat përgjegjëse të Inspektoratit të Përgjithshëm kanë nisur verifikimin e plotë dhe dokumentimin e ngjarjes. Personat e përfshirë janë pezulluar nga detyra deri në përfundimin e hetimit administrativ dhe penal. Paralelisht, janë vënë në lëvizje të gjitha mekanizmat disiplinorë të parashikuar nga legjislacioni në fuqi.

Inspektorati i Përgjithshëm nuk toleron asnjë formë dhune, sjelljeje të papërshtatshme apo cenim të integritetit institucional. Administrata publike duhet të jetë model korrektësie, profesionalizmi dhe përgjegjshmërie.

Integriteti i institucionit dhe besimi i qytetarëve janë prioritet absolut.

Inspektorati i Përgjithshëm do të vijojë të informojë publikun dhe mediat mbi ecurinë e procedurave.

Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit e trupave inspektuese

Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, z. Dashnor Sula, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit  e trupave inspektuese aktuale, të cilat do ti nënshtrohen ristrukturimit dhe riorganizimit të trupave inspektuese në inspektorate qendrore, në zbatim të ligjit për inspektimin nr. 99/2024.

Gjatë takimeve u theksua rëndësia e angazhimit të plotë të të gjitha strukturave aktuale dhe ministrive përgjegjëse në realizimin dhe finalizimin me sukses të kësaj reforme.

Ristrukturimi i inspektorateve ndodhet në një fazë delikate dhe vendimtare dhe për këtë qëllim  Inspektorati i Përgjithshëm, përmes ngritjes së grupeve të posaçme të punës, do të ofrojë të gjithë asistencën e nevojshme për të garantuar mbarëvajtjen e këtij procesi, për krijimin e strukturave optimale në ushtrimin sa më efektiv dhe eficient të veprimtarisë inspektuese.

Gjithashtu, u bë e ditur iniciativa e Inspektorit të Përgjithshëm për ngritjen e një grupi paralel pune, i cili do të punojë për harmonizimin e strukturave dhe lidhjen e pagave, me pozicionet e punës, me funksione inspektimi, në të gjitha inspektoratet qendrore, me përfaqësues nga Inspektorati i Përgjithshëm, ministritë e linjës dhe strukturat aktuale inspektuese.

Një rëndësi të veçantë pati ritheksimi i faktit se, nuk do të ketë asnjë tolerim në lidhje me zbatimin rigoroz të detyrimeve që parashikon ligji nr. 99/2024 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”  për të gjitha strukturat inspektuese. Zbatimi i plotë dhe i njëtrajtshëm i këtij ligji do të garantojë kalimin drejt një sistemi inspektimi të standardizuar, të dixhitalizuar dhe të planifikuar mbi bazë të analizës së riskut, duke rritur transparencën, efikasitetin dhe barazinë në trajtimin e subjekteve të inspektimit