Inspektori i Përgjithshëm Z. Dashnor Sula vlerëson Raportin Vjetor të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit: Siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit, prioritet i përhershëm i kontrollit në treg.

Inspektori i Përgjithshëm, z. Dashnor Sula, mori pjesë në analizën vjetore të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU).

Gjatë vitit 2025, AKU ka rritur përpjekjet për forcimin e rolit të tij në kontrollin dhe mbikëqyrjen e zinxhirit ushqimor, nga prodhimi dhe përpunimi deri te tregtimi i produkteve ushqimore.

Ligji nr. 99/2024 “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, ka sjellë një qasje të re më bashkëpunuese dhe parandaluese në procesin e inspektimeve, duke vendosur theksin tek analiza e riskut, transparenca dhe standardizimi i procedurave të kontrollit.

Fokusi kryesor i veprimtarisë inspektuese është përqendruar në sektorë me ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik, përfshirë kontrollin e produkteve me origjinë shtazore dhe bimore, monitorimin e kushteve higjieno-sanitare në subjektet e prodhimit dhe tregtimit të ushqimeve, mbikëqyrjen e importit të produkteve ushqimore, si dhe verifikimin e standardeve të etiketimit, transportit dhe ruajtjes së tyre. 

Po ashtu, një vëmendje e veçantë i është kushtuar luftës kundër informalitetit në tregun ushqimor dhe garantimit të gjurmueshmërisë së produkteve.

Inspektori i Përgjithshëm, z. Dashnor Sula, vuri theksin tek problematikat që prekin ende veprimtarinë e AKU-së, duke kërkuar një angazhim edhe më të madh në çdo hallkë të kontrollit ushqimor. 

IP nënvizoi rëndësinë që zë procesi I integrimit në fushën e sigurisë ushqimore, në këtë kuadër kërkoi forcimin e kapaciteteve në të gjithë zinxhirin ushqimor, që nga prodhimi deri në hallkën e fundit që ëhstë konsumi. Garancia, cilësia dhe higjena janë në çdo moment të rëndësishme që duhet të garantohen, por në një moment që po shkojmë drejt sezonit turistik veror, për shkak të fluksit, dinamikës na kërkohet të shtojmë edhe më shumë përpjekjet për misionin e përbashkët, zbatimin e ligjit. Inspektori i Përgjithshëm theksoi se toleranca do të jetë zero ndaj çdo subjekti apo individi që nuk respekton ligjin, duke qenë se siguria ushqimore është një nga shtyllat më të rëndësishme për shëndetin e popullit dhe besimin e qytetarëve në treg.

Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit e trupave inspektuese

Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, z. Dashnor Sula, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit  e trupave inspektuese aktuale, të cilat do ti nënshtrohen ristrukturimit dhe riorganizimit të trupave inspektuese në inspektorate qendrore, në zbatim të ligjit për inspektimin nr. 99/2024.

Gjatë takimeve u theksua rëndësia e angazhimit të plotë të të gjitha strukturave aktuale dhe ministrive përgjegjëse në realizimin dhe finalizimin me sukses të kësaj reforme.

Ristrukturimi i inspektorateve ndodhet në një fazë delikate dhe vendimtare dhe për këtë qëllim  Inspektorati i Përgjithshëm, përmes ngritjes së grupeve të posaçme të punës, do të ofrojë të gjithë asistencën e nevojshme për të garantuar mbarëvajtjen e këtij procesi, për krijimin e strukturave optimale në ushtrimin sa më efektiv dhe eficient të veprimtarisë inspektuese.

Gjithashtu, u bë e ditur iniciativa e Inspektorit të Përgjithshëm për ngritjen e një grupi paralel pune, i cili do të punojë për harmonizimin e strukturave dhe lidhjen e pagave, me pozicionet e punës, me funksione inspektimi, në të gjitha inspektoratet qendrore, me përfaqësues nga Inspektorati i Përgjithshëm, ministritë e linjës dhe strukturat aktuale inspektuese.

Një rëndësi të veçantë pati ritheksimi i faktit se, nuk do të ketë asnjë tolerim në lidhje me zbatimin rigoroz të detyrimeve që parashikon ligji nr. 99/2024 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”  për të gjitha strukturat inspektuese. Zbatimi i plotë dhe i njëtrajtshëm i këtij ligji do të garantojë kalimin drejt një sistemi inspektimi të standardizuar, të dixhitalizuar dhe të planifikuar mbi bazë të analizës së riskut, duke rritur transparencën, efikasitetin dhe barazinë në trajtimin e subjekteve të inspektimit