Inspektorati i Përgjithshëm mbledh strukturat qendrore dhe rajonale të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor për vijimin e reformës në inspektime

Sot, në ambientet e Hotel “Internacional Tirana”, u zhvillua takimi i radhës në kuadër të reformës së inspektimeve, i organizuar nga Inspektorati i Përgjithshëm, me pjesëmarrjen e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, si dhe përfaqësuesve të strukturave rajonale të tij.

Takimi u hap nga Inspektori i Përgjithshëm, z. Dashnor Sula, i cili theksoi se reforma në sistemin e inspektimeve mbetet një prioritet thelbësor për garantimin e standardeve të sigurisë dhe mbrojtjen e shëndetit publik. Në fjalën e tij, ai theksoi se do të ketë tolerancë zero për abuzuesit dhe se çdo shkelje do të përballet me masa të menjëhershme ligjore.

Inspektori i Përgjithshëm nënvizoi se nuk do të ketë asnjë tolerancë për shkelje që lidhen me kontrollin e ujit të pijshëm, me dhënien e shërbimeve shëndetësore nga persona të pakualifikuar apo të paautorizuar, përfshirë raste kur shërbimet ofrohen nga studentë apo personel pa kompetencat e kërkuara ligjore, si dhe për tregtimin e produkteve medicinale dhe kozmetike në markete, jashtë kanaleve të lejuara. 

Sula theksoi se do të merren masa të rrepta ndaj farmacive sezonale që nuk plotësojnë kushtet higjieno-sanitare, ndaj çdo rasti të tregtimit të ilaçeve kontrabandë, si dhe në rastet që lidhen me menaxhimin e rrezatimit dhe trajtimin e mbetjeve spitalore, fusha që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë dhe shëndetin publik.

Në vijim të takimit, Kryeinspektorja e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, znj. Luneda Sufali, vlerësoi bashkëpunimin me Inspektoratin e Përgjithshëm dhe theksoi angazhimin e strukturave shëndetësore për zbatimin e standardeve të reja inspektuese dhe për forcimin e mekanizmave të kontrollit në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve.

Gjatë aktivitetit u prezantuan gjithashtu disa nga nismat e reja që do të ndërmerren në kuadër të reformës. Ndër to u bë e ditur se së shpejti do të lançohet portali Sigurt.Gov.Al, një platformë e dedikuar për raportimin e shkeljeve ligjore që lidhen me fushat e inspektimit. Portali do të mundësojë raportimin e rasteve nga qytetarët dhe bizneset, duke ofruar gjithashtu mekanizma gjurmueshmërie për ndjekjen e çdo denoncimi të bërë.

Po ashtu, u prezantua edhe krijimi i Linjës së Gjelbër 0800, përmes së cilës qytetarët do të kenë mundësinë të sinjalizojnë çdo shkelje ligjore, në mënyrë anonime ose me identitet, duke nxitur kështu një rol më aktiv të publikut në garantimin e zbatimit të ligjit.

Takimi u mbyll me theksin se reforma e inspektimeve do të vijojë në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha inspektoratet qendrore dhe rajonale, me synimin për të ndërtuar një sistem modern, transparent dhe efektiv kontrolli, në shërbim të mbrojtjes së shëndetit publik dhe rritjes së besimit të qytetarëve tek institucionet.

Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit e trupave inspektuese

Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, z. Dashnor Sula, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit  e trupave inspektuese aktuale, të cilat do ti nënshtrohen ristrukturimit dhe riorganizimit të trupave inspektuese në inspektorate qendrore, në zbatim të ligjit për inspektimin nr. 99/2024.

Gjatë takimeve u theksua rëndësia e angazhimit të plotë të të gjitha strukturave aktuale dhe ministrive përgjegjëse në realizimin dhe finalizimin me sukses të kësaj reforme.

Ristrukturimi i inspektorateve ndodhet në një fazë delikate dhe vendimtare dhe për këtë qëllim  Inspektorati i Përgjithshëm, përmes ngritjes së grupeve të posaçme të punës, do të ofrojë të gjithë asistencën e nevojshme për të garantuar mbarëvajtjen e këtij procesi, për krijimin e strukturave optimale në ushtrimin sa më efektiv dhe eficient të veprimtarisë inspektuese.

Gjithashtu, u bë e ditur iniciativa e Inspektorit të Përgjithshëm për ngritjen e një grupi paralel pune, i cili do të punojë për harmonizimin e strukturave dhe lidhjen e pagave, me pozicionet e punës, me funksione inspektimi, në të gjitha inspektoratet qendrore, me përfaqësues nga Inspektorati i Përgjithshëm, ministritë e linjës dhe strukturat aktuale inspektuese.

Një rëndësi të veçantë pati ritheksimi i faktit se, nuk do të ketë asnjë tolerim në lidhje me zbatimin rigoroz të detyrimeve që parashikon ligji nr. 99/2024 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”  për të gjitha strukturat inspektuese. Zbatimi i plotë dhe i njëtrajtshëm i këtij ligji do të garantojë kalimin drejt një sistemi inspektimi të standardizuar, të dixhitalizuar dhe të planifikuar mbi bazë të analizës së riskut, duke rritur transparencën, efikasitetin dhe barazinë në trajtimin e subjekteve të inspektimit