Kryeministri Berisha u kërkon ministrave udhëheqjen e reformës për riorganizimin e inspektorateve në varësi

“Tani, ne kemi çështje kryesore instalimin e sistemit të ri të inspektorateve dhe kjo është çështja më kryesore e kësaj qeverie si reformë, në këto dy muaj.”

“Biznesi nuk do arbitraritet. Biznesi do zbatimin me seriozitet e rigorozitet të ligjit nga inspektorët e ekzekutivit dhe ata vetë.”

Kryeministri Berisha kërkoi sot, nga ministrat riorganizimin dhe reformimin e inspektorateve në varësi. Duke trajtuar reformën e inspektorateve në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Kryeministri tha se instalimi i sistemit të ri të inspektorateve, të cilat, në bazë të ligjit të ri, ulen nga 36 në 11, do të jetë reforma kryesore e qeverisë në dy muajt e ardhshëm. Për realizimin e saj, Kryeministri kërkoi vendosjen e komunikimit të menjëhershëm mes ministrive dhe Inspektoratit Qendror, i angazhuar në zbatimin e kuadrit ligjor për realizimin e kësaj reforme.

“Kjo reformë – tha Kryeministri – është ndër më themeloret për tregun. Ndaj, në përputhje me ligjin që kemi miratuar bashkërisht, kërkoj me shpejtësi riorganizimin e të gjitha inspektorateve që parashikon ligji, ngjitur në listë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme, zotërinj ministra, që ju të merreni me të gjitha inspektoratet që keni në varësi e të udhëhiqni reformimin e tyre.”

Reforma, tha më tej Kryeministri, është ndër kryesoret për përmirësimin e vazhdueshëm të klimës së biznesit. Biznesi nuk do xhandarë, por do inspektorë, të cilët me veprimtarinë e tyre i krijojnë shanse të barabarta para ligjit, garantojnë lirinë ekonomike në fushën ku ai ushtrohet.

Më gjerësisht, lidhur me këtë çështje, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Një nga reformat e rëndësishme që kemi marrë në këto 20 vite është reforma e inspektorateve. Kjo reformë ka një rëndësi jetike për tregun, lirinë dhe funksionimin e tij. E kam theksuar edhe në ndërhyrje të tjera se sistemi i inspektorateve, nga i cili po ndahemi, përbënte një barrë të rëndë për biznesin shqiptar, një barrë jo profesionale, që i gllabëronte atij më të çmuarën, kohën. Dhe jo më pak se 40 ditë në vit. Kjo ishte një faturë shumë e rëndë dhe e papranueshme për biznesin. Pas pothuajse dy vite punë që kemi bërë sëbashku në Task Force-n rregullatore, ne kemi rënë dakord që Shqipëria, nga 36 inspektorate, të ketë 11, kemi rënë dakord që biznesi të vizitohet e inspektohet për një kohë jo më të gjatë se 12 ditë në vit, përveç rasteve tepër të veçantë, të përcaktuara me procedurë tjetër. Ne kemi rënë dakord që inspektoratet të funksionojnë duke lënë gjurmë dhe për të lënë gjurmë duhet të jenë tërësisht e-inspektorate. Ne kemi kaluar ligjin dh vendi do të ketë një Inspektorat Qendror, i cili nuk do të ketë tagrin e inspektimeve direkt në terren. Ligji nuk ia lejon këtë, por do të ketë tagrin e inspektimit të inspektimeve dhe inspektorëve, do të ketë tagrin që, në zbatim të ligjit, të marrin të gjitha masat ndaj shkelësve zyrtarë të tij. Inspektorati Qendror nuk ka të bëjë me bizneset, me tregun. Ai ka të bëjë me inspektoratet e tjera, të cilat varen nga ju, por, në zbatim të ligjit, Inspektorati Qendror ka zë kryesor për disiplinimin e tyre ndaj qëndrimit në punë.

Unë ju garantoj se kjo reformë është ndër më themeloret për tregun. Ndaj, në përputhje me ligjin që kemi miratuar bashkërisht, kërkoj me shpejtësi riorganizimin e të gjitha inspektorateve që parashikon ligji, ngjitur në listë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme, zotërinj ministra, që ju të merreni me të gjitha inspektoratet që keni në varësi e të udhëhiqni reformimin e tyre, është përgjegjësi e juaja direkte. Duhet të vendosni menjëherë komunikimin me Inspektoratin Qendror, i cili në këtë periudhë është i angazhuar në zbatimin e kuadrit ligjor që ne bashkërisht kemi miratuar. Tani, ne kemi çështje kryesore instalimin e sistemit të ri të inspektorateve. Kjo është çështja më kryesore e kësaj qeverie si reformë, në këto dy muaj. Reforma duhet të ecë. Kemi thënë e themi se duhet të bëjmë gjithçka për klimën e biznesit. Kjo është një nga gjërat më kryesore që ne mund të bëjmë. Biznesi nuk do xhandarë. Biznesi do inspektorë, të cilët me veprimtarinë e tyre i krijojnë shanse të barabarta para ligjit, garantojnë lirinë ekonomike në fushën ku ai ushtrohet. Biznesi nuk do arbitraritet. Biznesi do zbatimin me seriozitet e rigorozitet të ligjit nga inspektorët e ekzekutivit dhe ata vetë. Ndaj, duke shprehu vlerësimin më të madh për punën e madhe që kemi bërë për këtë reformë, është në detyrimin tonë më madhor zbatimi i saj me rigorozitetin më të madh.”

Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit e trupave inspektuese

Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, z. Dashnor Sula, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit  e trupave inspektuese aktuale, të cilat do ti nënshtrohen ristrukturimit dhe riorganizimit të trupave inspektuese në inspektorate qendrore, në zbatim të ligjit për inspektimin nr. 99/2024.

Gjatë takimeve u theksua rëndësia e angazhimit të plotë të të gjitha strukturave aktuale dhe ministrive përgjegjëse në realizimin dhe finalizimin me sukses të kësaj reforme.

Ristrukturimi i inspektorateve ndodhet në një fazë delikate dhe vendimtare dhe për këtë qëllim  Inspektorati i Përgjithshëm, përmes ngritjes së grupeve të posaçme të punës, do të ofrojë të gjithë asistencën e nevojshme për të garantuar mbarëvajtjen e këtij procesi, për krijimin e strukturave optimale në ushtrimin sa më efektiv dhe eficient të veprimtarisë inspektuese.

Gjithashtu, u bë e ditur iniciativa e Inspektorit të Përgjithshëm për ngritjen e një grupi paralel pune, i cili do të punojë për harmonizimin e strukturave dhe lidhjen e pagave, me pozicionet e punës, me funksione inspektimi, në të gjitha inspektoratet qendrore, me përfaqësues nga Inspektorati i Përgjithshëm, ministritë e linjës dhe strukturat aktuale inspektuese.

Një rëndësi të veçantë pati ritheksimi i faktit se, nuk do të ketë asnjë tolerim në lidhje me zbatimin rigoroz të detyrimeve që parashikon ligji nr. 99/2024 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”  për të gjitha strukturat inspektuese. Zbatimi i plotë dhe i njëtrajtshëm i këtij ligji do të garantojë kalimin drejt një sistemi inspektimi të standardizuar, të dixhitalizuar dhe të planifikuar mbi bazë të analizës së riskut, duke rritur transparencën, efikasitetin dhe barazinë në trajtimin e subjekteve të inspektimit