Inspektimet online, sfidë e së ardhmes për më shumë transparencë, efektivitet dhe garanci për mbrojtjen e biznesit në Republikën e Shqipërisë

Sot me datën 30 Janar 2017, në mjediset e Hotel Tirana Internacional u zhvillua takimi i organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror.
Në takim përveç anëtarëve të Kabinetit Qeveritar: Znj. Milva Ekonomi, Ministre e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes; Ministrit Prof Dr. Edmond Panarit- Ministër i Bujqësisë i Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave; ishin të pranishëm edhe përfaqësues të Dhomave të Biznesit vendas e të huaj, përfaqësues të Ambasadave të huaja në vendin tonë, Kryeinspektorët e të Gjitha Inspektorateve Shtetërore, si dhe biznesmenë e sipërmarrës vendas e të huaj.
E nderuan me pjesëmarrjen e tyre këtë takim edhe Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Z. Safet GERXHALIU, dhe Z. Nagib FEJZI, Nënkryetar i Dhomës Ekonomike të Maqedonisë Veri – Perëndimore.
Në fjalën e tij Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit Qendror Z. Shkëlqim HAJDARI theksoi midis të tjerave se:
Vetëm kryerja e inspektimeve me një Metodologji dhe dokumenta të Standardizuara për të gjitha Inspektoratet Shtetërore dhe ato të qeverisjes vendore do të prodhojnë akte administrative të pakundërshtueshme nga pikëpamja ligjore.
Standardizimi do të krijojnë mundësi reale që bizneset, entet publike e private të kontrollohen në mënyrë të drejtë e të barabartë me njëri tjetrin.
Do të shmangim njëanshmërinë, preferencat, subjektivizmin, klientelizmin dhe korrupsionin, pasi procedura e inspektimeve do të jetë e njëjtë, ligjërisht e mirë përcaktuar dhe objekti i kontrollit i sanksionuar qartë në listat e verifikimit (check listat) e çdo Inspektorati Shtetëror, i integruar në portal. Kjo procedurë e standardizuar metodologjikisht do të shoqërohet me kryerjen online të inspektimeve. D.m.th., trupat e inspektimeve të të gjitha Inspektorateve Shtetërore do t’i konstatojnë, evidentojnë dhe formalizojnë rezultatet e inspektimeve pranë dhe në prani të biznesit, entit publik dhe privat që inspektohet dhe njëkohësisht akti administrativ do të formalizohet po aty.
Në fjalën përshëndetëse Kryetari i Dhomës së Tregtisë e Industrisë së Tiranës, Z. Nikolin JAKA e vuri theksin në bashkëpunimin biznes publik – politik bërje, me qëllim garantimin e pamvarësisë së Inspektorateve dhe të trupave të Inspektimit, si dhe rritjen e efikasitetit dhe transparencës së inspektimeve, për shmangien e praktikave korruptive dhe uljen e barrës ndaj biznesit. Kryetari gjithashtu e ftoi biznesin vendas e të rajonit që ti bashkohet përpjekjeve për standaridizimin dhe rritjen e sigurisë së produktit/produkteve për të rritur shanset e konkurrueshmërisë jo vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe me gjerë.
Në fjalën e saj Ministre e Ekonomisë Znj. Milva EKONOMI e përshëndeti nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Inspektoratit Qendror dhe Dhomës së Tregtisë e Industrisë. Gjithashtu ajo e vuri theksin në përmbushjen e kërkesave sipas Direktivave të Bashkimit Europian për një treg të vetëm dhe të përbashkët të prodhimeve dixhitale, si dhe të mundësuara nga zhvillimet e shpejta në fushën e teknologjisë së informacionit e komunikimit. Ajo shprehu mbështetjen e saj për punën e Inspektoratit të ri Shtetëror për Mbikëqyrjen e Tregut si dhe rakordimin e punës për kryerjen online të inspektimeve të standardizuara.
Në fjalën e saj Ministre e Inovacionit dhe Administratës Publike Znj. Milena Harito, shprehu vlerësimin e saj për punën e kryer nga Inspektorati Qendror dhe e vuri theksin në shtimin e përpjekjeve për shtimin e besimit të ndërsjelltë biznes privat, të politik bërjes dhe të trupave ligj zbatuese të inspektimeve. Ministre Harito solli në vëmendje të Inspektorateve zhvillimin me korrektësi e profesionalizëm të kritereve të drejta dhe zbatimin me pa-anshmëri të këtyre kritereve përmes inspektimeve online.
Në fjalën e tij Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave Z. Edmond Panariti shprehu vlerësimin e tij për punën e Inspektoratit Qendror, inkurajoi si fillim të mbarë nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit e Bashkëpunimit ndërmjet Dhomës së Tregtisë e Industrisë dhe Inspektoratit Qendror. Ministri Panariti shprehu vlerësimin e tij për qasjen biznes privat – inspektorate shtetërore për inspektime sa më efektive nga trupa inspektimi të pavarura nga politika. U soll në vëmendje të takimit krijimi i kushteve për kodifikimin e monstrave e kampioneve të cilat do të merren për analizim, për të rritur pa-anëshmërinë dhe profesionalizmin e Laboratorëve që certifikojnë cilësinë e produkteve dhe më kryesorja për sigurinë ushqimore.
Para nënshkrimit të Memorandumit nga Inspektori i Përgjithshëm Z. Shkëlqim Hajdari dhe Kryetari i Dhomës së Tregtisë e Industrisë Z. Nikolin Jaka iu dha mundësia edhe përfaqësuesve të biznesit si dhe sipërmarrësve pjesëmarrës që të ngrenë shqetësimet e tyre dhe ti adresoheshin me pyetje Ministrave dhe Inspektorit të Përgjithshëm.
Ky takim i parë përbën gurin e parë të themelit për të rritur e thelluar besimin në kontributin e ndërsjelltë sipërmarrje – Inspektime, duke rritur transparencën e mirëbesimin përmes Inspektimeve online.
Sfida e përbashkët mbetet modernizimi i mëtejshëm i veprimtarive inspektuese me teknologji bashkëkohore dhe krijimin e një klime të favorshme, për respektimin dhe forcimin e shtetit ligjor në vendin tonë.

Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit e trupave inspektuese

Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, z. Dashnor Sula, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit  e trupave inspektuese aktuale, të cilat do ti nënshtrohen ristrukturimit dhe riorganizimit të trupave inspektuese në inspektorate qendrore, në zbatim të ligjit për inspektimin nr. 99/2024.

Gjatë takimeve u theksua rëndësia e angazhimit të plotë të të gjitha strukturave aktuale dhe ministrive përgjegjëse në realizimin dhe finalizimin me sukses të kësaj reforme.

Ristrukturimi i inspektorateve ndodhet në një fazë delikate dhe vendimtare dhe për këtë qëllim  Inspektorati i Përgjithshëm, përmes ngritjes së grupeve të posaçme të punës, do të ofrojë të gjithë asistencën e nevojshme për të garantuar mbarëvajtjen e këtij procesi, për krijimin e strukturave optimale në ushtrimin sa më efektiv dhe eficient të veprimtarisë inspektuese.

Gjithashtu, u bë e ditur iniciativa e Inspektorit të Përgjithshëm për ngritjen e një grupi paralel pune, i cili do të punojë për harmonizimin e strukturave dhe lidhjen e pagave, me pozicionet e punës, me funksione inspektimi, në të gjitha inspektoratet qendrore, me përfaqësues nga Inspektorati i Përgjithshëm, ministritë e linjës dhe strukturat aktuale inspektuese.

Një rëndësi të veçantë pati ritheksimi i faktit se, nuk do të ketë asnjë tolerim në lidhje me zbatimin rigoroz të detyrimeve që parashikon ligji nr. 99/2024 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”  për të gjitha strukturat inspektuese. Zbatimi i plotë dhe i njëtrajtshëm i këtij ligji do të garantojë kalimin drejt një sistemi inspektimi të standardizuar, të dixhitalizuar dhe të planifikuar mbi bazë të analizës së riskut, duke rritur transparencën, efikasitetin dhe barazinë në trajtimin e subjekteve të inspektimit