Bazuar në nenin 7, të ligjit nr. 33/2022, “Për të dhënat e hapura dhe ripërdorimin e informacionit të sektorit publik”, çdo person gëzon të drejtën të ripërdorë dokumente ekzistuese të organit të sektorit publik për qëllime fitimi ose jo, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
Organi i sektorit publik përcakton listën e dokumenteve ekzistuese që mund të ofrohen në formatin e të dhënave të hapura, të cilën e bën publike.
Për qëllime të ripërdorimit të dokumenteve, organi i sektorit publik nuk është i detyruar të krijojë, të përshtat dokumente ose të ofrojë ekstrakte në ato raste kur kjo kërkon përpjekje të konsiderueshme shtesë dhe jo proporcionale që shkojnë përtej funksionit të zakonshëm.
Inspektorat Qendror, në zbatim të nenit 10, të ligjit nr. 33/2022, nuk ofron tarifa kundrejt dokumenteve të hapura.
Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, z. Dashnor Sula, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit e trupave inspektuese aktuale, të cilat do ti nënshtrohen ristrukturimit dhe riorganizimit të trupave inspektuese në inspektorate qendrore, në zbatim të ligjit për inspektimin nr. 99/2024.
Gjatë takimeve u theksua rëndësia e angazhimit të plotë të të gjitha strukturave aktuale dhe ministrive përgjegjëse në realizimin dhe finalizimin me sukses të kësaj reforme.
Ristrukturimi i inspektorateve ndodhet në një fazë delikate dhe vendimtare dhe për këtë qëllim Inspektorati i Përgjithshëm, përmes ngritjes së grupeve të posaçme të punës, do të ofrojë të gjithë asistencën e nevojshme për të garantuar mbarëvajtjen e këtij procesi, për krijimin e strukturave optimale në ushtrimin sa më efektiv dhe eficient të veprimtarisë inspektuese.
Gjithashtu, u bë e ditur iniciativa e Inspektorit të Përgjithshëm për ngritjen e një grupi paralel pune, i cili do të punojë për harmonizimin e strukturave dhe lidhjen e pagave, me pozicionet e punës, me funksione inspektimi, në të gjitha inspektoratet qendrore, me përfaqësues nga Inspektorati i Përgjithshëm, ministritë e linjës dhe strukturat aktuale inspektuese.
Një rëndësi të veçantë pati ritheksimi i faktit se, nuk do të ketë asnjë tolerim në lidhje me zbatimin rigoroz të detyrimeve që parashikon ligji nr. 99/2024 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë” për të gjitha strukturat inspektuese. Zbatimi i plotë dhe i njëtrajtshëm i këtij ligji do të garantojë kalimin drejt një sistemi inspektimi të standardizuar, të dixhitalizuar dhe të planifikuar mbi bazë të analizës së riskut, duke rritur transparencën, efikasitetin dhe barazinë në trajtimin e subjekteve të inspektimit