Në zbatim të ligjit nr. 10433, datë 16.06.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, Inspektorati Qendror ka për mision përmirësimin e efektivitetit dhe përgjegjshmërisë së veprimtarive të inspektimit në Republikën e Shqipërisë. Me qëllim përmbushjen e këtij detyrimi ligjor dhe garantimin e transparencës, Inspektorati Qendror administron sistemin elektronik “e-Inspektimi” dhe mbikëqyr në kohë reale inspektimet e kryera nga trupat inspektuese.
Me qëllim për të ofruar një shërbim sa më efikas, të shpejtë dhe sipas kërkesave ligjore, Inspektorati Qendror, ka krijuar Formularin për të dërguar ankesë online, i cili kërkon nga subjekti ankimues që të plotësojë formën e aplikimit online, duke vendosur në këtë mënyrë, edhe disa nga të dhënat e tij personale. Të dhënat do të grumbullohen, përpunohen dhe ruhen nga Inspektorati Qendror në përputhje të plotë me parashikimet e ligjit nr. 9887, datë 10.03.2008, “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, i ndryshuar.
Ky dokument mbi ruajtjen e privatësisë tregon mënyrën se si Inspektorati Qendror ruan të dhënat personale të mbledhura në lidhje me:
PERSONAT QË PARAQESIN ANKESË PRANË INSPEKTORATIT QENDROR
Kur paraqitet një ankesë nga një person, ajo protokollohet në Librin e Protokollit nga punonjësi përkatës i Arshiv-Protokollit, i cili më parë ka nënshkruar deklaratën e konfidencialitetit dhe është i njohur me përmbajtjen e ligjit nr. 9887, datë 10.03.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, ligjin nr. 119/2014, “Për të drejtën e informimit”, si dhe me ligjin nr. 9131, datë 8.9.2003, “Për rregullat e etikës në administratën publike”.
Inspektorati Qendror përdor të dhënat personale që mbledh vetëm në procesin e shqyrtimit të ankesës dhe për të kontrolluar procedurat inspektuese që janë ndjekur nga trupat inspektuese.
Ne mbajmë të dhëna personale të përfshira në dosjet e ankesave në përputhje me ligjin dhe politikën e ruajtjes së të dhënave personale. Ato mbahen në një mjedis të sigurt dhe aksesi në të është i kufizuar në bazë të parimit “nevoja për të ditur dhe njohur”.
E DREJTA PËR TË KËRKUAR KORRIGJIMIN OSE FSHIRJEN
Çdo subjekt i të dhënave ka të drejtë të kërkojë korrigjimin ose fshirjen e të dhënave kur vihet në dijeni se të dhënat rreth tij nuk janë të rregullta, të vërteta, të plota ose janë përpunuar dhe mbledhur në kundërshtim me dispozitat ligjore.
“Kontrolluesi”, brenda 30 ditëve nga data e marrjes së kërkesës së “subjektit të të dhënave”, duhet ta informojë atë për përpunimin e ligjshëm të të dhënave, kryerjen ose moskryerjen e korrigjimit apo të fshirjes.
Kur “kontrolluesi” nuk bën korrigjimin ose fshirjen e të dhënave të kërkuara prej tij, “subjekti i të dhënave” ka të drejtë të ankohet tek Komisioneri Për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
NËPUNËSIT E INSPEKTORATIT QENDROR
Për çdo nëpunës të Inspektoratit Qendror, Njësia e Burimeve Njerëzore përgatit dosjen përkatëse dhe administron dosjen individuale të tij. Të dhënat e përfshira në të kanë karakter konfidencial, mbahen të sigurta dhe përdoren vetëm për qëllime që lidhen drejtpërdrejtë me punësimin e personit. Kur marrëdhënia e punës me Inspektoratin Qendror përfundon, IQ ruan dosjen në përputhje me ligjin për statusin e nëpunësit civil, ligjin për arkivat dhe rregulloren e brendshme të institucionit.
VIZITORËT NË FAQEN TONË TË INTERNETIT DHE SISTEMI ELEKTRONIK
Inspektorati Qendror disponon faqen zyrtare të internetit www.insq.gov.al. Nëpërmjet kësaj faqeje, IQ u vjen në ndihmë subjekteve tregtare dhe jo vetëm, duke ju prezantuar kuadrin ligjor, që aplikohet në procesin e inspektimit, si dhe duke iu dhënë informacione të tjera të dobishme.
Inspektorati Qendror, përdor një teknologji bashkëkohore për të mbrojtur sigurinë dhe konfidencialitetin e të dhënave të subjekteve/ankimuesve, si dhe për të ndaluar aksesin në sistemin elektronik nga ana e personave të paautorizuar. IQ administron sistemin elektronik “e-Inspektimi”, përmes së cilit mbikëqyr në kohë reale procedurat inspektuese. Procedurat tona të sigurisë përmirësohen vazhdimisht me teknologji të reja.
Kjo politikë privatësie mbulon vetëm faqen tonë të internetit dhe jo faqet e tjera të lidhura me të.
Inspektorati Qendror siguron përdoruesit e faqes së internetit se është i përkushtuar në zbatimin me rigorozitet të detyrimeve që rrjedhin nga ligji nr. 9887, datë 10.03.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar dhe akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij. Ndryshimi apo përditësimi i kësaj politike privatësie, do t’ju njoftohet po në këtë faqe.
Për çdo kërkesë për informacion apo ankesë në lidhje me politikën tonë të privatësisë, mund të na kontaktoni në adresën:
Rruga “Frosina Plaku”, Godina e Observatorit, Kati 0, Tiranë
Tel: +355 42229765
Email: www.insq.gov.al
Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, z. Dashnor Sula, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit e trupave inspektuese aktuale, të cilat do ti nënshtrohen ristrukturimit dhe riorganizimit të trupave inspektuese në inspektorate qendrore, në zbatim të ligjit për inspektimin nr. 99/2024.
Gjatë takimeve u theksua rëndësia e angazhimit të plotë të të gjitha strukturave aktuale dhe ministrive përgjegjëse në realizimin dhe finalizimin me sukses të kësaj reforme.
Ristrukturimi i inspektorateve ndodhet në një fazë delikate dhe vendimtare dhe për këtë qëllim Inspektorati i Përgjithshëm, përmes ngritjes së grupeve të posaçme të punës, do të ofrojë të gjithë asistencën e nevojshme për të garantuar mbarëvajtjen e këtij procesi, për krijimin e strukturave optimale në ushtrimin sa më efektiv dhe eficient të veprimtarisë inspektuese.
Gjithashtu, u bë e ditur iniciativa e Inspektorit të Përgjithshëm për ngritjen e një grupi paralel pune, i cili do të punojë për harmonizimin e strukturave dhe lidhjen e pagave, me pozicionet e punës, me funksione inspektimi, në të gjitha inspektoratet qendrore, me përfaqësues nga Inspektorati i Përgjithshëm, ministritë e linjës dhe strukturat aktuale inspektuese.
Një rëndësi të veçantë pati ritheksimi i faktit se, nuk do të ketë asnjë tolerim në lidhje me zbatimin rigoroz të detyrimeve që parashikon ligji nr. 99/2024 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë” për të gjitha strukturat inspektuese. Zbatimi i plotë dhe i njëtrajtshëm i këtij ligji do të garantojë kalimin drejt një sistemi inspektimi të standardizuar, të dixhitalizuar dhe të planifikuar mbi bazë të analizës së riskut, duke rritur transparencën, efikasitetin dhe barazinë në trajtimin e subjekteve të inspektimit