Takim me Bisnesin për reformën Rregullatore

Sot, me datë 15.03.2013 nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u zhvillua bashkëbisedimi me biznesin në lidhje me propozimet e Task Forcës për reformën rregullatore ku ishte e pranishme dhe Inspektoria e Përgjithshme Zj.Mimoza Hajdarmataj. Duke i vlerësuar mendimet e shprehura në këtë takim, qartësisht të rëndësishme e të vlefshme për një klimë më të mirë të veprimtarisë së biznesit në Shqipëri, Kryeministri Berisha theksoi se kjo e bën të domosdoshme rishikimin në mënyrë përfundimtare të reformës për biznesin vecanërisht në dy drejtime kryesore: reforma në autorizime dhe reforma në inspektim.

Gjatë këtij takimi Kryeministri Berisha bëri me dije se për reformën e inspektimit janë analizuar rreth 121 ligje sektoriale, janë amenduar 77 ligje dhe është ndërhyrë në 12 draftligje në proces hartimi. Kjo reformë mundëson uljen e ditëve të inspektimit nga 45 ditë në 5-15 ditë per subjekt; uljen e kostos së inspektimit nga 1000 euro në 100-200 euro për llojet e ndryshme të bizneseve; praktikat më të mira në inspektim, zbatim i e-inspektimit, eliminim të arbitraritetit të inspektorëve, eliminimin e mundësisë për ryshfet dhe korrupsion; komunikim të shpejtë, transparent e cilësor me të gjitha institucionet e përfshira në aktivitetin e biznesit.

Duke vlersuar ngritjen e Inspektoratit Qendror kryeministri shtoi se Reforma e inspektimit është një nga reformat, absolutisht, më të mëdha e të rëndësishme që është realizuar në këtë vend. Edhe kjo ka pasur një synim: heqjen nga shpatullat e biznesit të barrës së rëndë të inspektimeve, të cilat me sistemin ekzistues merrnin 45 ditë dhe kishin një kosto shumë të lartë, 1000 euro në mesatare. Është bërë një punë e jashtëzakonshme, për t’i thjeshtuar inspektoratet nga 36 në 11, për të krijuar një inspektorat qendror, me qëllimin e vetëm që të kontrollojë ndershmërinë dhe ligjin e kontrolleve. Po vendoset gjithashtu sistemi online i inspektorateve, me qëllim e vetëm që inspektori të lërë gjurmë e të mos shkojë sa herë ti teket. Kjo reformë përbën një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv në qëndrimin e administratës ndaj biznesit, përben një përpjekje shumë të madhe në luftën kundër arbitraritetit, përbën një përpjekje shumë të madhe për një kontroll të ndershëm, vazhdoi më tej ai.

Në mbyllje të këtij takimi, Kryeministri Berisha duke falenderuar të gjithë për mendimet e çmuara u shpreh që kjo është një praktikë e re që ne si Task Forcë do ta ndjekim gjithnjë. Kryeministri garantoi se ato cka u premtuan do të jenë realitet, dhe ato që u premtuan për t’u bërë do të bëhen, të tjera do të studiohen e shqyrtohen.

Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit e trupave inspektuese

Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, z. Dashnor Sula, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit  e trupave inspektuese aktuale, të cilat do ti nënshtrohen ristrukturimit dhe riorganizimit të trupave inspektuese në inspektorate qendrore, në zbatim të ligjit për inspektimin nr. 99/2024.

Gjatë takimeve u theksua rëndësia e angazhimit të plotë të të gjitha strukturave aktuale dhe ministrive përgjegjëse në realizimin dhe finalizimin me sukses të kësaj reforme.

Ristrukturimi i inspektorateve ndodhet në një fazë delikate dhe vendimtare dhe për këtë qëllim  Inspektorati i Përgjithshëm, përmes ngritjes së grupeve të posaçme të punës, do të ofrojë të gjithë asistencën e nevojshme për të garantuar mbarëvajtjen e këtij procesi, për krijimin e strukturave optimale në ushtrimin sa më efektiv dhe eficient të veprimtarisë inspektuese.

Gjithashtu, u bë e ditur iniciativa e Inspektorit të Përgjithshëm për ngritjen e një grupi paralel pune, i cili do të punojë për harmonizimin e strukturave dhe lidhjen e pagave, me pozicionet e punës, me funksione inspektimi, në të gjitha inspektoratet qendrore, me përfaqësues nga Inspektorati i Përgjithshëm, ministritë e linjës dhe strukturat aktuale inspektuese.

Një rëndësi të veçantë pati ritheksimi i faktit se, nuk do të ketë asnjë tolerim në lidhje me zbatimin rigoroz të detyrimeve që parashikon ligji nr. 99/2024 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”  për të gjitha strukturat inspektuese. Zbatimi i plotë dhe i njëtrajtshëm i këtij ligji do të garantojë kalimin drejt një sistemi inspektimi të standardizuar, të dixhitalizuar dhe të planifikuar mbi bazë të analizës së riskut, duke rritur transparencën, efikasitetin dhe barazinë në trajtimin e subjekteve të inspektimit