Dorëzimi i kartave inspektor për Inspektoratet Shtetërore: ISHU, DSHPA dhe DSHV

Sot në mjediset e Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave u zhvillua procesi i dorëzimit të kartave inspektor për Inspektoratet Shtetërore të ISHU (Inspektorati Shtetëror i Ujërave), DSHPA (Drejtoria e Shërbimit të Peshkimit dhe Akuakulturës) dhe DSHV (Drejtoria e Shërbimit Veterinar).
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Ministri i Bujqësisë, Z. Edmond Panariti, Inspektori i Përgjithshëm Z. Shkëlqim Hajdari, si dhe Kryeinspektorët bashkë me inspektorët e Inspektorateve përkatëse.

Në fjalën e tij Ministri i Bujqësisë theksoj rëndësinë e ruajtjes dhe mirë administrimit të pasurive kombëtare dhe u kërkoi inspektorëve të pranishëm zbatimin me rigorozitet të ligjeve si dhe përdorimin e portalit “e-Inspektimi”, për një proces sa më efektiv dhe transparent të inspektimit.

Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit Qendror shprehu përkushtimin dhe vendosmërinë e Institucionit që ai drejton për realizimin e inspektimeve online duke përdorur portalin “e-Inspektimi” nëpërmjet paketave portabël. Ai u kërkoi inspektorëve të cilët u pajisën me kartat e reja të inspektorit zbatimin me paanshmëri, integritet dhe profesionalizëm të ligjit dhe rregullave të inspektimit për ruajtjen dhe mbrojtjen e pasurive kombëtare të ujërave, lumenjve, të florës dhe të faunës për të gjithë territorin e vendit.

Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit e trupave inspektuese

Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, z. Dashnor Sula, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit  e trupave inspektuese aktuale, të cilat do ti nënshtrohen ristrukturimit dhe riorganizimit të trupave inspektuese në inspektorate qendrore, në zbatim të ligjit për inspektimin nr. 99/2024.

Gjatë takimeve u theksua rëndësia e angazhimit të plotë të të gjitha strukturave aktuale dhe ministrive përgjegjëse në realizimin dhe finalizimin me sukses të kësaj reforme.

Ristrukturimi i inspektorateve ndodhet në një fazë delikate dhe vendimtare dhe për këtë qëllim  Inspektorati i Përgjithshëm, përmes ngritjes së grupeve të posaçme të punës, do të ofrojë të gjithë asistencën e nevojshme për të garantuar mbarëvajtjen e këtij procesi, për krijimin e strukturave optimale në ushtrimin sa më efektiv dhe eficient të veprimtarisë inspektuese.

Gjithashtu, u bë e ditur iniciativa e Inspektorit të Përgjithshëm për ngritjen e një grupi paralel pune, i cili do të punojë për harmonizimin e strukturave dhe lidhjen e pagave, me pozicionet e punës, me funksione inspektimi, në të gjitha inspektoratet qendrore, me përfaqësues nga Inspektorati i Përgjithshëm, ministritë e linjës dhe strukturat aktuale inspektuese.

Një rëndësi të veçantë pati ritheksimi i faktit se, nuk do të ketë asnjë tolerim në lidhje me zbatimin rigoroz të detyrimeve që parashikon ligji nr. 99/2024 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”  për të gjitha strukturat inspektuese. Zbatimi i plotë dhe i njëtrajtshëm i këtij ligji do të garantojë kalimin drejt një sistemi inspektimi të standardizuar, të dixhitalizuar dhe të planifikuar mbi bazë të analizës së riskut, duke rritur transparencën, efikasitetin dhe barazinë në trajtimin e subjekteve të inspektimit