Këshilli i Ministrave ka miratuar të premten datë 27.02.2026 vendimin për krijimin e Inspektoratit Qendror të Arsimit Parauniversitar, IQAP, një strukturë e re që do të ketë në fokus kontrollin dhe garantimin e zbatimit të ligjshmërisë në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar në vend.
Vendimi, i mbështetur në nenin 100 të Kushtetutës dhe në ligjin “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, parashikon që IQAP të funksionojë si person juridik publik, buxhetor, me seli në Tiranë dhe në varësi të ministrit përgjegjës për arsimin.
Sipas dokumentit, misioni i IQAP-it do të jetë garantimi i respektimit të kërkesave ligjore në të gjitha institucionet arsimore parauniversitare, përmes ushtrimit të funksionit të inspektimit.
Inspektorati Qendror i Arsimit Parauniversitar do të:
- Verifikojë pajtueshmërinë e veprimtarisë së shkollave me kuadrin rregullator në fuqi;
- Unifikojë praktikat e inspektimit në të gjithë territorin e vendit;
- Vlerësojë përmbushjen e kritereve të licencimit për institucionet arsimore private dhe do t’i propozojë ministrit pezullimin apo heqjen e licencës në rast shkeljesh;
- Hartojë programin vjetor dhe mujor të inspektimeve, si dhe raportin vjetor;
- Informojë publikun për vendimet dhe rezultatet e kontrolleve.
IQAP do të organizohet në nivel qendror dhe do të ushtrojë juridiksion në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, përmes inspektorëve që do të atashohen edhe pranë drejtorive rajonale të arsimit parauniversitar.
Në krye të institucionit do të jetë Kryeinspektori, i cili do të emërojë dhe lirojë nga detyra inspektorët dhe stafin administrativ, do të administrojë buxhetin dhe do të nxjerrë urdhra e udhëzime për veprimtarinë inspektuese. Kryeinspektori do të raportojë drejtpërdrejt te ministri përgjegjës për arsimin.
Struktura dhe organika e IQAP-it do të miratohen me urdhër të Kryeministrit, ndërsa institucioni do të ketë stemën, logon dhe vulën e vet zyrtare, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.
Vendimi parashikon që funksionet inspektuese të Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar dhe të drejtorive rajonale të arsimit parauniversitar të transferohen pranë IQAP-it.
Deri në nisjen e funksionimit të plotë të strukturës së re, këto institucione do të vijojnë aktivitetin sipas organizimit aktual.
Ministri përgjegjës për arsimin dhe Inspektori i Përgjithshëm do të kenë afat tre muaj nga hyrja në fuqi e vendimit për të përgatitur strukturën dhe për të ndjekur procedurat për emërimin e Kryeinspektorit.