Marrëveshja ndermjet usaid dhe inspektoratit qëndror finalizohet me sukses

Një ndër risitë kryesore të Reformës në Inspektime, është dixhitalizimi i procedimit të inspektimit dhe kryerjen e saj online në kohë reale, nëpërmjet portalit e-Inspektimi. Për këtë është e rëndësishme pajisja e inspektorëve me kite portative të inspektimit që mundësojnë aksesimin e tyre online gjatë procedimit të inspektimit në biznese.

Inspektorati Qendror dhe USAid më datë 15 Shkurt 2013 nënshkruan një marrëveshje për të mundësuar pajisjen e inspektorëve me këto kite për inspektoratet pilot që janë: Autoriteti Shëndetësor Rajonal (ASHR), Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve, Ujrave dhe Peshkimit (ISHMPUP), Inspektorati Shtetëror i Punës (ISHP) dhe Zyra Shqiptare Për Të Drejtat e Autorit (ZSHDA). Marrëveshja parashikon pajisjen me kite inspektimi të 260 inspektorëve dhe çdo kit përbëhet nga një kompjuter laptop dhe nga një skaner e printer portabël.

Aktualisht Inspektorati Qendror, së bashku me subjektin e kontraktuar për pajisjen e inspektorëve me kite inspektimit, po trajnon këta të fundit në përdorimin efektiv të tyre gjatë procedimit të inspektimeve online, sipas procedurave të reja të Ligjit për Inspektimin, nëpërmjet portalit e-Inspektimi.

Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit e trupave inspektuese

Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, z. Dashnor Sula, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit  e trupave inspektuese aktuale, të cilat do ti nënshtrohen ristrukturimit dhe riorganizimit të trupave inspektuese në inspektorate qendrore, në zbatim të ligjit për inspektimin nr. 99/2024.

Gjatë takimeve u theksua rëndësia e angazhimit të plotë të të gjitha strukturave aktuale dhe ministrive përgjegjëse në realizimin dhe finalizimin me sukses të kësaj reforme.

Ristrukturimi i inspektorateve ndodhet në një fazë delikate dhe vendimtare dhe për këtë qëllim  Inspektorati i Përgjithshëm, përmes ngritjes së grupeve të posaçme të punës, do të ofrojë të gjithë asistencën e nevojshme për të garantuar mbarëvajtjen e këtij procesi, për krijimin e strukturave optimale në ushtrimin sa më efektiv dhe eficient të veprimtarisë inspektuese.

Gjithashtu, u bë e ditur iniciativa e Inspektorit të Përgjithshëm për ngritjen e një grupi paralel pune, i cili do të punojë për harmonizimin e strukturave dhe lidhjen e pagave, me pozicionet e punës, me funksione inspektimi, në të gjitha inspektoratet qendrore, me përfaqësues nga Inspektorati i Përgjithshëm, ministritë e linjës dhe strukturat aktuale inspektuese.

Një rëndësi të veçantë pati ritheksimi i faktit se, nuk do të ketë asnjë tolerim në lidhje me zbatimin rigoroz të detyrimeve që parashikon ligji nr. 99/2024 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”  për të gjitha strukturat inspektuese. Zbatimi i plotë dhe i njëtrajtshëm i këtij ligji do të garantojë kalimin drejt një sistemi inspektimi të standardizuar, të dixhitalizuar dhe të planifikuar mbi bazë të analizës së riskut, duke rritur transparencën, efikasitetin dhe barazinë në trajtimin e subjekteve të inspektimit