Inspektorati Qendror dhe Këshilli i Inspektorateve të Maqedonisë angazhohen për inspektimet e formalizuara online në të dyja vendet me përkrahjen e Agjenicë Amerikane të Ndihmës për Zhvillimin Ndërkombëtar- USAID

Krahas punës për rritjen e efikasitetit e transparencës së punës së Inspektorateve Shtetërore e atyre të Qeverisjes vendore, Inspektorati Qendror ka punuar e po punon edhe për ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe sjelljes së përvojës e praktikave më të mira Europiane në fushën e Inspektimeve me vendet e rajonit e me gjerë.

Sot në datën 19 Prill 2017, në ambientet e Inspektoratit Qendror ishin për vizitë me ftesë të Inspektorit të Përgjithshëm, Z. Shkëlqim Hajdari, Kryetari dhe Presidenti i Këshillit të Inspektorateve të Republikës së Maqedonisë Z. Vlatko Ilievski, bashkë me anëtarët e Këshillit Z. Fitim Lloga dhe Z. Qeramedin Selimi.

Vizita kishte si synim ndërtimin e urave të bashkëpunimit me qëllim shkëmbimin e përvojave e praktikave më të mira në fushën e inspektimeve. Po ashtu, takimi ishte me diskutime të hapura e të frytshme midis ekspertësh për njohjen e shkëmbimin e praktikave, e të certifikimeve, të procedurave dhe të standardeve në fushën e inspektimit të ushqimeve, ilaçeve, si dhe të fushave me interes të përbashkët.

Reforma në inspektime është një proces i vështirë e delikat, proces në të cilin duhen njohur e shkëmbyer përvojat e praktikat më të mira jo vetëm në nivel europian por edhe midis vendeve fqinje me problematika e sfida të përbashkëta. Realizimi me sukses i inspektimeve online nga ana e Inspektoratit Qendror, fuqizimi i kartës së Inspektorit, trajnimi i vazhdueshëm e certifikimi janë midis të tjerave çështje me interes, ku vendi ynë ka shënuar progres.

Në fjalën e tij Kryetari i Këshillit të Inspektorateve Z. Vlatko Ilievski theksoi sfidat e vendit të tij në fushën e inspektimeve. Aktualisht në Maqedoni ka 28 Inspektorate dhe status të përcaktuar për Inspektimet online “e-Inspektorat”. Megjithëse Maqedonia ka shënuar progres në fushën e trajnimit dhe të certifikimit të Inspektorëve, Maqedonia po punon për hartimin dhe përmirësimin e listave të verifikimit dhe dokumenteve standarde. Por me gjithë përkufizimet në ligj ende nuk janë ndërtuar aplikacionet dhe sistemet që bëjnë të mundur inspektimet online “e-Inspektorat”.
Inspektorati Qendror që tashmë i ka shtrirë inspektimet online në Tiranë, si pjesë e përvojës së fituar e pikave të Marrëveshjes së nënshkruar u angazhua për të dhënë ndihmën dhe kontributin e tij në hartimin e përmirësimin e listave të verifikimit, si dhe do të ndihmojë Këshillin e Inspektorateve të Maqedonisë për futjen së shpejti të Inspektimit online dhe në Republikën e Maqedonisë.

Takimi u finalizua me nënshkrimin e një Memorandumit të Mirëkuptimit (MiM) e bashkëpunimit midis dy Institucioneve homologe të dy vendeve, pika të rëndësishme të së cilës do të jenë njohje dhe shkëmbimi i certifikatave, procedurave e dokumentacioneve për inspektimet në të dyja vendet, shkëmbimi i ekspertëve dhe i përvojave më të mira, si dhe rakordimi i përpjekjeve të përbashkëta për lehtësimin e barrës së biznesit e rritjes së efikasitetit të trupave të inspektimit në të dyja vendet.
Inspektimet online, me dokumenta të standardizuara e lista verifikimi standarde e transparente, me akt administrativ të lëshuar në vendin e inspektimit janë çelësi i duhur për luftimin e korrupsionit dhe praktikave klienteliste në fushën e inspektimeve në të dyja vendet.
Memorandumi i nënshkruar i mirëkuptimit do t ‘ i shërbej rritjes së tregtisë e shkëmbimeve midis të dyja vendeve, si dhe përmirësimit të klimës së biznesit, për ta bërë rajonin e Ballkanit Perëndimor më tërheqës ndaj investimeve të huaja.

Këshilli i Inspektorateve të Republikës së Maqedonisë, duke shprehur vlerësimin për arritjet e sfidat e Inspektoratit Qendror u angazhua për projekte të përbashkëta si në nivel ndërshtetëror ashtu edhe në nivel të Komisionit Europian me qëllim përmirësimin e kuadrit ligjor e rregullator në fushën e inspektimeve, si dhe implementimin së afërmi të sistemit elektronik për inspektimet online

Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit e trupave inspektuese

Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, z. Dashnor Sula, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit  e trupave inspektuese aktuale, të cilat do ti nënshtrohen ristrukturimit dhe riorganizimit të trupave inspektuese në inspektorate qendrore, në zbatim të ligjit për inspektimin nr. 99/2024.

Gjatë takimeve u theksua rëndësia e angazhimit të plotë të të gjitha strukturave aktuale dhe ministrive përgjegjëse në realizimin dhe finalizimin me sukses të kësaj reforme.

Ristrukturimi i inspektorateve ndodhet në një fazë delikate dhe vendimtare dhe për këtë qëllim  Inspektorati i Përgjithshëm, përmes ngritjes së grupeve të posaçme të punës, do të ofrojë të gjithë asistencën e nevojshme për të garantuar mbarëvajtjen e këtij procesi, për krijimin e strukturave optimale në ushtrimin sa më efektiv dhe eficient të veprimtarisë inspektuese.

Gjithashtu, u bë e ditur iniciativa e Inspektorit të Përgjithshëm për ngritjen e një grupi paralel pune, i cili do të punojë për harmonizimin e strukturave dhe lidhjen e pagave, me pozicionet e punës, me funksione inspektimi, në të gjitha inspektoratet qendrore, me përfaqësues nga Inspektorati i Përgjithshëm, ministritë e linjës dhe strukturat aktuale inspektuese.

Një rëndësi të veçantë pati ritheksimi i faktit se, nuk do të ketë asnjë tolerim në lidhje me zbatimin rigoroz të detyrimeve që parashikon ligji nr. 99/2024 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”  për të gjitha strukturat inspektuese. Zbatimi i plotë dhe i njëtrajtshëm i këtij ligji do të garantojë kalimin drejt një sistemi inspektimi të standardizuar, të dixhitalizuar dhe të planifikuar mbi bazë të analizës së riskut, duke rritur transparencën, efikasitetin dhe barazinë në trajtimin e subjekteve të inspektimit