Takim në Ministrinë e Shëndetësisë për dhënien e kartave inspektor për inspektorët e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor

Në ambientet e Ministrisë së Shendetësisë, sot me datë 25.11.2016, u organizua një takim i përbashkët pune me pjesëmarrjen e Z. Shkëlqim Hajdari, Inspektor i Përgjithshëm, Inspektorati Qendror,  Z. Ilir Beqaj, Ministër i Shëndetësisë dhe Z. Eltar Deda, Kryeinspekor, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor.

Në fjalën e tij Z. Shkëlqim Hajdari, Inspektor i Përgjithshëm theksoi rëndësinë e përdorimit të portalit “e-Inspektimi”, ku e gjithë veprimtaria inspektuese do të kryhet online në kohë reale, nëpërmjet paketave portabël (laptop, printer dhe usb), gjë e cila do të sjellë rritjen e  efektshmërinë së inspektimeve ndaj subjekteve apo enteve publike, do të përmirësojë transparencën dhe të garantojë konkurrencën e lirë. Ky lloj inspektimi është fillimi i një reforme që ne duam të bëjmë në inspektim, e cila është prioritet i Qeverisë Shqiptare në kuadrin e ndërtimit të sistemeve bashkëkohore në të gjithë administratën, ku inspektimi ashtu sikurse për ju edhe për inspektoratet e tjera, është një hap shumë i rëndësishëm në interes të enteve që kontrollohen, në interes të bizneseve që kontrollohen në mënyrë që perceptimi i publikut për trupat e inspektimit të jetë ndryshe. Tashmë, trupat e inspektimit do të jenë në bashkëpunim të hapur dhe transparent me ato që kontrollohen. Inspektimet do të kryhen mbi bazën e një metodologjie për të prodhuar një akt administrativ të pakontestueshëm në rrugë ligjore. E gjitha kjo do të sjellë rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit, informalitetit dhe bizneseve të pandershme, që për hir të së vërtetës, ne përplasemi çdo ditë”, ka pohuar z. Shkëlqim Hajdari, Inspektor i Përgjithshëm i Inspektoratit Qendror.

Në përfundim të takimit u shpërndanë edhe kartat e inspektorëve, për grupin e parë të Inspektorëve të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor. Sipas ligjit çdo inspektor do te identifikohet gjatë inspektimit nëpërmjet kartës së Inspektorit, të dhënat dhe detajet e të cilave mund të kontrollohen lehtësisht online nga subjektet që inspektohen.
Ministri Beqaj, gjatë fjalës së tij, ka nënvizuar se kjo është një risi në punën e inspektorëve, si dhe një përpjeke për të garantuar cilësi në ofrimin e kujdesit shëndetësor në të mirë të qytetarëve tanë, por edhe për të krijuar në mjedis shëndetësor, qofshin këto sistemin publik apo jopublik të funksionojnë në mënyrë transparente dhe me konkurrencë të ndershme.

Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit e trupave inspektuese

Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, z. Dashnor Sula, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit  e trupave inspektuese aktuale, të cilat do ti nënshtrohen ristrukturimit dhe riorganizimit të trupave inspektuese në inspektorate qendrore, në zbatim të ligjit për inspektimin nr. 99/2024.

Gjatë takimeve u theksua rëndësia e angazhimit të plotë të të gjitha strukturave aktuale dhe ministrive përgjegjëse në realizimin dhe finalizimin me sukses të kësaj reforme.

Ristrukturimi i inspektorateve ndodhet në një fazë delikate dhe vendimtare dhe për këtë qëllim  Inspektorati i Përgjithshëm, përmes ngritjes së grupeve të posaçme të punës, do të ofrojë të gjithë asistencën e nevojshme për të garantuar mbarëvajtjen e këtij procesi, për krijimin e strukturave optimale në ushtrimin sa më efektiv dhe eficient të veprimtarisë inspektuese.

Gjithashtu, u bë e ditur iniciativa e Inspektorit të Përgjithshëm për ngritjen e një grupi paralel pune, i cili do të punojë për harmonizimin e strukturave dhe lidhjen e pagave, me pozicionet e punës, me funksione inspektimi, në të gjitha inspektoratet qendrore, me përfaqësues nga Inspektorati i Përgjithshëm, ministritë e linjës dhe strukturat aktuale inspektuese.

Një rëndësi të veçantë pati ritheksimi i faktit se, nuk do të ketë asnjë tolerim në lidhje me zbatimin rigoroz të detyrimeve që parashikon ligji nr. 99/2024 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”  për të gjitha strukturat inspektuese. Zbatimi i plotë dhe i njëtrajtshëm i këtij ligji do të garantojë kalimin drejt një sistemi inspektimi të standardizuar, të dixhitalizuar dhe të planifikuar mbi bazë të analizës së riskut, duke rritur transparencën, efikasitetin dhe barazinë në trajtimin e subjekteve të inspektimit