
Sot, më 4 mars 2026, në ambientet e Hotel “Internacional Tirana”, u zhvillua takimi i radhës në kuadër të reformës së inspektimeve, i organizuar nga Inspektorati i Përgjithshëm, me pjesëmarrjen e Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, si dhe përfaqësuesve të inspektorateve rajonale.
Takimi u hap nga Inspektori i Përgjithshëm, z. Dashnor Sula, i cili theksoi rëndësinë e vijimit të reformës si një proces i domosdoshëm për modernizimin, unifikimin dhe rritjen e efikasitetit të sistemit të inspektimeve në vend. Në fjalën e tij, ai nënvizoi se unifikimi i standardeve dhe ndërtimi i një sistemi të integruar janë hapa thelbësorë për garantimin e barazisë në trajtimin e subjekteve dhe forcimin e transparencës institucionale.

Në vijim, Kryeinspektorja e AKU-së, znj. Blerina Gjylameti, vlerësoi bashkëpunimin ndërinstitucional dhe shprehu angazhimin për harmonizimin e praktikave inspektuese, në funksion të mbrojtjes së konsumatorit dhe sigurisë ushqimore.

Gjatë takimit u prezantuan gjetjet nga takimet me drejtoritë qendrore dhe problematikat kryesore të evidentuara në nivel rajonal, duke evidentuar nevojën për një standard unik kombëtar dhe për qasje të bazuar në risk. U theksua domosdoshmëria e rritjes së koordinimit ndërmjet strukturave qendrore dhe rajonale, si dhe forcimi i mekanizmave të monitorimit të performancës.

Një moment i rëndësishëm i aktivitetit ishte prezantimi i arkitekturës së sistemit të ri të inspektimeve, ku u paraqitën shtyllat kryesore të reformës: standardi unik kombëtar, inspektimi i bazuar në risk, si dhe përdorimi i instrumenteve të reja ligjore dhe teknologjike në funksion të rritjes së efikasitetit dhe llogaridhënies.

Takimi u mbyll me theksin se reforma e inspektimeve do të vijojë në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha inspektoratet qendrore, me synimin për të ndërtuar një sistem modern, transparent dhe të besueshëm, në shërbim të qytetarëve dhe biznesit.



