Inspektori i Përgjithshëm në analizën vjetore të Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore: Zero tolerancë për medikamentet e skaduar, pajisjet e pacertifikuara dhe kontrabandën

Inspektori i Përgjithshëm, z. Dashnor Sula, mori pjesë në analizën vjetore të punës së Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, ku u prezantuan rezultatet e vitit të fundit dhe prioritetet për forcimin e mëtejshëm të kontrollit në tregun farmaceutik dhe atë të pajisjeve mjekësore.

Në fjalën e tij, Inspektori i Përgjithshëm theksoi rëndësinë kritike që ka ky sektor për shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve, duke nënvizuar se barnat dhe pajisjet mjekësore duhet të jenë plotësisht të certifikuara, të kolauduara dhe në përputhje të plotë me standardet ligjore, teknike dhe me standardet e Bashkimi Evropian.

Z. Sula u ndal veçanërisht tek rreziku që paraqesin barnat kontrabandë, barnat e falsifikuara apo ato të skaduara që tentojnë të hyjnë në treg si dhe tek dhënia e shërbimit nga staf i paautorizuar dhe i paliçensuar duke theksuar se këto praktika përbëjnë një kërcënim serioz për shëndetin publik dhe dëmtojnë besimin në sistemin e kontrollit.

“Ky është një sektor ku nuk mund të ketë kompromis. Barnat kontrabandë, ato të falsifikuara apo të skaduara nuk kanë vend në tregun shqiptar. Qasja jonë është dhe do të mbetet tolerancë zero ndaj çdo shkeljeje në këtë fushë kaq të ndjeshme”, u shpreh ai.

Inspektori i Përgjithshëm theksoi se forcimi i kontrolleve dhe garantimi i përputhjes me standardet e Bashkimit Evropian janë elementë thelbësorë për modernizimin e sistemit të mbikëqyrjes së tregut dhe për rritjen e sigurisë së barnave dhe pajisjeve mjekësore për qytetarët.

Gjithashtu, ai nënvizoi nevojën për kontroll të shtuar ndaj farmacive sezonale, të cilat shtohen veçanërisht gjatë periudhës së verës në zonat turistike, si dhe për mbikëqyrje më të rreptë të depove farmaceutike brenda spitaleve, me qëllim garantimin e ruajtjes dhe shpërndarjes së barnave sipas standardeve të kërkuara. Sipas tij, këto pika kërkojnë vëmendje të veçantë inspektuese, sidomos gjatë sezonit veror kur rritet ndjeshëm fluksi dhe kërkesa për produkte farmaceutike.

Në përfundim, ai theksoi se Inspektorati i Përgjithshëm do të vijojë të mbështesë fuqizimin e mekanizmave të kontrollit dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, me qëllim garantimin e një tregu të sigurt dhe plotësisht të harmonizuar me standardet evropiane.

Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit e trupave inspektuese

Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, z. Dashnor Sula, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit  e trupave inspektuese aktuale, të cilat do ti nënshtrohen ristrukturimit dhe riorganizimit të trupave inspektuese në inspektorate qendrore, në zbatim të ligjit për inspektimin nr. 99/2024.

Gjatë takimeve u theksua rëndësia e angazhimit të plotë të të gjitha strukturave aktuale dhe ministrive përgjegjëse në realizimin dhe finalizimin me sukses të kësaj reforme.

Ristrukturimi i inspektorateve ndodhet në një fazë delikate dhe vendimtare dhe për këtë qëllim  Inspektorati i Përgjithshëm, përmes ngritjes së grupeve të posaçme të punës, do të ofrojë të gjithë asistencën e nevojshme për të garantuar mbarëvajtjen e këtij procesi, për krijimin e strukturave optimale në ushtrimin sa më efektiv dhe eficient të veprimtarisë inspektuese.

Gjithashtu, u bë e ditur iniciativa e Inspektorit të Përgjithshëm për ngritjen e një grupi paralel pune, i cili do të punojë për harmonizimin e strukturave dhe lidhjen e pagave, me pozicionet e punës, me funksione inspektimi, në të gjitha inspektoratet qendrore, me përfaqësues nga Inspektorati i Përgjithshëm, ministritë e linjës dhe strukturat aktuale inspektuese.

Një rëndësi të veçantë pati ritheksimi i faktit se, nuk do të ketë asnjë tolerim në lidhje me zbatimin rigoroz të detyrimeve që parashikon ligji nr. 99/2024 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”  për të gjitha strukturat inspektuese. Zbatimi i plotë dhe i njëtrajtshëm i këtij ligji do të garantojë kalimin drejt një sistemi inspektimi të standardizuar, të dixhitalizuar dhe të planifikuar mbi bazë të analizës së riskut, duke rritur transparencën, efikasitetin dhe barazinë në trajtimin e subjekteve të inspektimit