NJOFTIM PUBLIK

Inspektori i Përgjithshëm, z. Dashnor Sula, njofton publikun se, në kuadër të rritjes së transparencës institucionale dhe forcimit të komunikimit të drejtpërdrejtë me publikun, do të zhvillojë takime publike të rregullta me qytetarët.

Këto takime do të mbahen çdo të martë dhe çdo të enjte, në ambientet e Inspektorati i Përgjithshëm, nga ora 09:00 deri në 11:00.

Adresa: Rruga “Muhedin Llagami”, Godina MD Biznes, Kati 8, Tiranë.

Gjatë këtyre takimeve, qytetarët do të kenë mundësi të paraqesin shqetësimet, ankesat apo sugjerimet e tyre që lidhen me veprimtarinë e inspektorateve dhe me funksionimin e sistemit të inspektimeve në vend.

Kjo nismë synon të forcojë dialogun institucional me qytetarët dhe të garantojë një administratë më të hapur, më të përgjegjshme dhe më pranë publikut.

Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit e trupave inspektuese

Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, z. Dashnor Sula, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit  e trupave inspektuese aktuale, të cilat do ti nënshtrohen ristrukturimit dhe riorganizimit të trupave inspektuese në inspektorate qendrore, në zbatim të ligjit për inspektimin nr. 99/2024.

Gjatë takimeve u theksua rëndësia e angazhimit të plotë të të gjitha strukturave aktuale dhe ministrive përgjegjëse në realizimin dhe finalizimin me sukses të kësaj reforme.

Ristrukturimi i inspektorateve ndodhet në një fazë delikate dhe vendimtare dhe për këtë qëllim  Inspektorati i Përgjithshëm, përmes ngritjes së grupeve të posaçme të punës, do të ofrojë të gjithë asistencën e nevojshme për të garantuar mbarëvajtjen e këtij procesi, për krijimin e strukturave optimale në ushtrimin sa më efektiv dhe eficient të veprimtarisë inspektuese.

Gjithashtu, u bë e ditur iniciativa e Inspektorit të Përgjithshëm për ngritjen e një grupi paralel pune, i cili do të punojë për harmonizimin e strukturave dhe lidhjen e pagave, me pozicionet e punës, me funksione inspektimi, në të gjitha inspektoratet qendrore, me përfaqësues nga Inspektorati i Përgjithshëm, ministritë e linjës dhe strukturat aktuale inspektuese.

Një rëndësi të veçantë pati ritheksimi i faktit se, nuk do të ketë asnjë tolerim në lidhje me zbatimin rigoroz të detyrimeve që parashikon ligji nr. 99/2024 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”  për të gjitha strukturat inspektuese. Zbatimi i plotë dhe i njëtrajtshëm i këtij ligji do të garantojë kalimin drejt një sistemi inspektimi të standardizuar, të dixhitalizuar dhe të planifikuar mbi bazë të analizës së riskut, duke rritur transparencën, efikasitetin dhe barazinë në trajtimin e subjekteve të inspektimit