Takim i Ambasadores së Republikës Federale të Gjermanisë me Inspektorin e Përgjithshëm të Inspektoratit Qendror (Gjermania mbështet Reformën në Inspektime për të ç’ rrënjosur korrupsionin në këtë sistem)

Znj. Susanne Schütz, Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, priti sot në një takim Inspektorin e Përgjithshëm Z. Shkëlqim Hajdari, pranë ambienteve të kësaj ambasade.
Inspektorin i Përgjithshëm e njohu Znj. Ambasadore me pozicionin ligjor që ka Inspektorati Qendror në raport me Inspektoratet Shtetërore dhe ato pranë qeverisjes Vendore

Ai i paraqiti situatën në të cilën ndodhet Inspektimi në Shqipëri dhe reformat që duhet të ndërmerren në këtë fushë të rëndësishme e me ndikim, në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe shoqërisë në tërësi.

Inspektori i Përgjithshëm, theksoi se kjo reformë po kryhet në bashkëpunim me biznesin, me Institucionet Rregullatore të vendeve të Bashkimit Europian, si Gjermania, Franca, Britania e Madhe etj, si dhe me akademikë e profesorë të shquar.
I gjithë materiali po koordinohet me Zyrën e ngritur nga Kryeministri për Menaxhimin e Situatës (ZOS), dhe me Këshilltarin e Kryeministrit për Sigurinë Kombëtare Z. Sandër Lleshi.

Gjatë takimit, Znj Ambasadore u njoh me Projektin e Reformimit të Sistemit të Inspektimit, që bazohet në katër shtylla:
1. Ristrukturimi i Inspektorateve Shtetërore duke ulur numrin e tyre.
2. Ndryshimet e ligjit nr.10433, datë 16.06.2011, “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, duke synuar futjen e elementëve të karrierës në punësim, e ngritjen në detyrë të Inspektorëve Shtetërore.
3. Fuqizimin e kapaciteteve digitale bashkëkohore për të kryer Inspektimet me dokumente standarde, metodika bashkëkohore, bazuar në risk, online, pranë biznesit e në prani të tij.
4. Domosdoshmëria për ngritjen e Laboratorëve Shtetërore të akredituara e të pavarura private për kryerjen e analizave të produkteve, objekte të inspektimit, me paanshmëri e në mënyrë shkencore.
Inspektori i Përgjithshëm theksoi se kjo reformë duke kaluar në këto etapa shmang korrupsionin, klientelizmin dhe rrit transparencën e punës së trupave inspektuese duke formalizuar biznesin e ndershëm në Shqipëri.

Ambasadorja Gjermane, Znj. Susane Schütz e vlerësoi Projektin e Reformimit të Sistemit të inspektimeve në Shqipëri, si një projekt serioz e profesional, për reformimin e trupave të inspektimit, siç janë në vendet e Bashkimit Europian.
Ajo garantoi se Gjermania në kuadër të Projektit të vlerësimit e hartimit të Strategjive për Luftimin e Korrupsionit do të ndihmojë Inspektoratin Qendror me projekte konkrete metodologjike e financiare për realizimin e kësaj reforme.

Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit e trupave inspektuese

Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, z. Dashnor Sula, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit  e trupave inspektuese aktuale, të cilat do ti nënshtrohen ristrukturimit dhe riorganizimit të trupave inspektuese në inspektorate qendrore, në zbatim të ligjit për inspektimin nr. 99/2024.

Gjatë takimeve u theksua rëndësia e angazhimit të plotë të të gjitha strukturave aktuale dhe ministrive përgjegjëse në realizimin dhe finalizimin me sukses të kësaj reforme.

Ristrukturimi i inspektorateve ndodhet në një fazë delikate dhe vendimtare dhe për këtë qëllim  Inspektorati i Përgjithshëm, përmes ngritjes së grupeve të posaçme të punës, do të ofrojë të gjithë asistencën e nevojshme për të garantuar mbarëvajtjen e këtij procesi, për krijimin e strukturave optimale në ushtrimin sa më efektiv dhe eficient të veprimtarisë inspektuese.

Gjithashtu, u bë e ditur iniciativa e Inspektorit të Përgjithshëm për ngritjen e një grupi paralel pune, i cili do të punojë për harmonizimin e strukturave dhe lidhjen e pagave, me pozicionet e punës, me funksione inspektimi, në të gjitha inspektoratet qendrore, me përfaqësues nga Inspektorati i Përgjithshëm, ministritë e linjës dhe strukturat aktuale inspektuese.

Një rëndësi të veçantë pati ritheksimi i faktit se, nuk do të ketë asnjë tolerim në lidhje me zbatimin rigoroz të detyrimeve që parashikon ligji nr. 99/2024 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”  për të gjitha strukturat inspektuese. Zbatimi i plotë dhe i njëtrajtshëm i këtij ligji do të garantojë kalimin drejt një sistemi inspektimi të standardizuar, të dixhitalizuar dhe të planifikuar mbi bazë të analizës së riskut, duke rritur transparencën, efikasitetin dhe barazinë në trajtimin e subjekteve të inspektimit