INSPEKTORATI QENDROR DHE USAID, GARANTOJNË KRYERJEN E INSPEKTIMEVE ONLINE NË BALLKANIN PERËNDIMOR

“INSPEKTORATET E MAQEDONISË SË VERIUT SË SHPEJTI ME INSPEKTIME ONLINE……”

Në datat 22 – 27 Shtator 2019, Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit Qendror të Republikës së Shqipërisë Z. Shkëlqim Hajdari, dhe specialist të këtij institucioni në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit midis dy institucioneve, të nënshkruar në Prill 2017, në Tiranë, u takuan në Shkup, me homologen, Znj. Filipovska Graskoska, Presidente e Këshillit të Inspektorateve të Maqedonisë së Veriut, Kryeinspektorë të Inspektorateve Shtetërore kryesore, si dhe me drejtues të USAID për projektin, “Modernizimi i autoriteteve inspektuese të Maqedonisë së Veriut”.

Inspektori i Përgjithshëm Z. Hajdari, gjatë takimit me Znj. Filipovska Graskoska, si dhe Kryeinspektorët Shtetërorë, paraqiti platformën e inspektimeve online si dhe të gjitha hapat, të cilat çuan në arritjen e suksesit për vendin tonë në fushën e inspektimeve, si i vetmi vend, i cili kryen procedurat inspektuese me dokumente standarde, listë verifikimi, vlerësim risku, transparente, efektive nëpërmjet tabletave në sistemin online, “e-inspektimi”.

Në takimin e zhvilluar midis tyre, Inspektori i Përgjithshëm, theksoi se ky model inspektimi, ka përmirësuar ndjeshëm klimën e biznesit, duke ulur barrierat administrative si dhe minimizuar nivelin e korrupsionit në Republikën e Shqipërisë.

Znj. Filipovska, paraqiti pasqyrën e funksioneve të Këshillit të Inspektorateve, si organ Qendror, metodologjist, licencues dhe trajnues të Inspektorateve Shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ajo vlerësoj standardet e arritura nga Inspektorati Qendror i Republikës së Shqipërisë, të cilët kanë realizuar kryerjen e inspektimeve me dokumente standarde, listë verifikimi, bazuar në metodologjinë e vlerësimit të riskut, me tableta, me sistem GPS, foto dhe video & audio rekorder, online pranë dhe në prani të biznesit. Kjo përvojë juaja, theksoi ajo, duhet të implementohet edhe tek ne.

Gjatë këtyre ditëve, specialistët e Inspektoratit Qendror, zhvilluan takime pune me, Kryeinspektorët dhe specialistët e inspektorateve kryesore të Maqedonisë së Veriut, ku paraqitën etapat në të cilat ka kaluar i gjithë procesi ligjor dhe teknik, për të arritur në finalizimin e kësaj metode të kryerjes së inspektimeve.

Drejtuesi i Zyrës Qendrore të USAID, Z. Aleksandar Shahov, për Ballkanin Perëndimor, me seli në Shkup, në takimin me Inspektorin e Përgjithshëm të Inspektoratit Qendror, të Republikës së Shqipërisë, vlerësoi se kjo reformë, është implementuar me sukses vetëm në Shqipëri dhe mori përsipër implementimin e këtij modeli edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Në këtë kuadër, brenda këtij viti, USAID dhe Inspektorati Qendror i Republikës së Shqipërisë, do të organizojnë në Tiranë një Konferencë, me pjesëmarrjen e Inspektorateve Qendrore dhe Kryeinspektorëve të Inspektorateve Shtetërore të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Bosnje Hercegovinës, Serbisë dhe Malit të Zi.

Kjo konferencë, ka për qëllim unifikimin e procedurave inspektuese sipas modelit Shqiptar, rritjen e ndërveprimit midis vendeve, përmirësimin dhe formalizimin e klimës ekonomike, uljen e barrierave administrative dhe korrupsionit në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në fund të punimeve, do të themelohet “Shoqata e Inspektorëve të Vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Kjo reformë, do të formalizojë dhe standardizojë biznesin dhe ekonominë e këtyre vendeve, me standardet e vendeve të BE.

 

Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit e trupave inspektuese

Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, z. Dashnor Sula, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit  e trupave inspektuese aktuale, të cilat do ti nënshtrohen ristrukturimit dhe riorganizimit të trupave inspektuese në inspektorate qendrore, në zbatim të ligjit për inspektimin nr. 99/2024.

Gjatë takimeve u theksua rëndësia e angazhimit të plotë të të gjitha strukturave aktuale dhe ministrive përgjegjëse në realizimin dhe finalizimin me sukses të kësaj reforme.

Ristrukturimi i inspektorateve ndodhet në një fazë delikate dhe vendimtare dhe për këtë qëllim  Inspektorati i Përgjithshëm, përmes ngritjes së grupeve të posaçme të punës, do të ofrojë të gjithë asistencën e nevojshme për të garantuar mbarëvajtjen e këtij procesi, për krijimin e strukturave optimale në ushtrimin sa më efektiv dhe eficient të veprimtarisë inspektuese.

Gjithashtu, u bë e ditur iniciativa e Inspektorit të Përgjithshëm për ngritjen e një grupi paralel pune, i cili do të punojë për harmonizimin e strukturave dhe lidhjen e pagave, me pozicionet e punës, me funksione inspektimi, në të gjitha inspektoratet qendrore, me përfaqësues nga Inspektorati i Përgjithshëm, ministritë e linjës dhe strukturat aktuale inspektuese.

Një rëndësi të veçantë pati ritheksimi i faktit se, nuk do të ketë asnjë tolerim në lidhje me zbatimin rigoroz të detyrimeve që parashikon ligji nr. 99/2024 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”  për të gjitha strukturat inspektuese. Zbatimi i plotë dhe i njëtrajtshëm i këtij ligji do të garantojë kalimin drejt një sistemi inspektimi të standardizuar, të dixhitalizuar dhe të planifikuar mbi bazë të analizës së riskut, duke rritur transparencën, efikasitetin dhe barazinë në trajtimin e subjekteve të inspektimit