Zero tolerancë ndaj abuzimeve në territor: Inspektorati i Përgjithshëm dhe IKMT paralajmërojnë masa të ashpra në kuadër të reformës në inspektime

Sot, në kuadër të reformës së inspektimeve, Inspektorati i Përgjithshëm zhvilloi takimin e radhës me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), si dhe me përfaqësues të strukturave të tij qendrore dhe rajonale.

Takimi u hap nga Inspektori i Përgjithshëm, z. Dashnor Sula, i cili theksoi se reforma në sistemin e inspektimeve mbetet një prioritet thelbësor për garantimin e zbatimit të ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik. Në fjalën e tij, ai nënvizoi se do të ketë tolerancë zero ndaj çdo subjekti apo individi që abuzon me territorin dhe cenon sigurinë publike, duke theksuar se çdo shkelje do të përballet me masa të menjëhershme ligjore.

Inspektori i Përgjithshëm theksoi se nuk do të ketë asnjë tolerancë për ndërtimet pa leje, për ndërhyrjet e paligjshme në territor, për shfrytëzimin abuziv të hapësirave publike, si dhe për çdo veprimtari që dëmton mjedisin apo cenon standardet e sigurisë. Ai vendosi theks të veçantë edhe tek cilësia e punimeve në ndërtim, duke paralajmëruar masa të rrepta ndaj çdo rasti ku përdoret beton jashtë standardeve apo hekur që nuk përmbush kriteret teknike të kërkuara. Sula theksoi se çdo abuzim në këtë drejtim përbën rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e qytetarëve dhe do të trajtohet me zero tolerancë, përmes kontrolleve të shtuara dhe ndëshkimeve të menjëhershme.

Në kuadër të reformës, u theksua forcimi i kontrollit në bazë risku, si një qasje moderne që synon fokusimin e inspektimeve aty ku rreziku është më i lartë. Po ashtu, u nënvizua rëndësia e unifikimit të kontrolleve në të gjithë territorin, për të garantuar standarde të njëjta dhe trajtim të barabartë për çdo subjekt.

Një tjetër element i rëndësishëm i diskutuar ishte garantimi i të drejtës së ankimimit për çdo subjekt apo individ që vlerëson se është penalizuar padrejtësisht, duke siguruar transparencë dhe drejtësi në procesin inspektues.

Në vijim të takimit, drejtues të IKMT-së vlerësuan bashkëpunimin me Inspektoratin e Përgjithshëm dhe theksuan angazhimin për forcimin e kapaciteteve inspektuese, si dhe për rritjen e eficiencës në terren në përputhje me standardet e reja të reformës.

Gjatë aktivitetit u prezantuan gjithashtu nismat e reja që do të ndërmerren në kuadër të reformës. Ndër to, u bë e ditur se së shpejti do të lançohet portali “sigurt.gov.al”, një platformë e dedikuar për raportimin e shkeljeve ligjore që lidhen me fushat e inspektimit. Portali do të mundësojë raportimin nga qytetarët dhe bizneset, si dhe ndjekjen në kohë reale të çdo rasti të denoncuar.

Po ashtu, u prezantua edhe Linja e Gjelbër 0800, përmes së cilës qytetarët do të kenë mundësinë të sinjalizojnë çdo shkelje ligjore, në mënyrë anonime ose me identitet, duke nxitur një rol më aktiv të publikut në mbrojtjen e territorit dhe zbatimin e ligjit.

Takimi u mbyll me theksin se reforma e inspektimeve do të vijojë në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha strukturat qendrore dhe rajonale, me synimin për ndërtimin e një sistemi modern, transparent dhe efektiv kontrolli, në funksion të mbrojtjes së territorit dhe interesit publik.

Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit e trupave inspektuese

Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, z. Dashnor Sula, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit  e trupave inspektuese aktuale, të cilat do ti nënshtrohen ristrukturimit dhe riorganizimit të trupave inspektuese në inspektorate qendrore, në zbatim të ligjit për inspektimin nr. 99/2024.

Gjatë takimeve u theksua rëndësia e angazhimit të plotë të të gjitha strukturave aktuale dhe ministrive përgjegjëse në realizimin dhe finalizimin me sukses të kësaj reforme.

Ristrukturimi i inspektorateve ndodhet në një fazë delikate dhe vendimtare dhe për këtë qëllim  Inspektorati i Përgjithshëm, përmes ngritjes së grupeve të posaçme të punës, do të ofrojë të gjithë asistencën e nevojshme për të garantuar mbarëvajtjen e këtij procesi, për krijimin e strukturave optimale në ushtrimin sa më efektiv dhe eficient të veprimtarisë inspektuese.

Gjithashtu, u bë e ditur iniciativa e Inspektorit të Përgjithshëm për ngritjen e një grupi paralel pune, i cili do të punojë për harmonizimin e strukturave dhe lidhjen e pagave, me pozicionet e punës, me funksione inspektimi, në të gjitha inspektoratet qendrore, me përfaqësues nga Inspektorati i Përgjithshëm, ministritë e linjës dhe strukturat aktuale inspektuese.

Një rëndësi të veçantë pati ritheksimi i faktit se, nuk do të ketë asnjë tolerim në lidhje me zbatimin rigoroz të detyrimeve që parashikon ligji nr. 99/2024 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”  për të gjitha strukturat inspektuese. Zbatimi i plotë dhe i njëtrajtshëm i këtij ligji do të garantojë kalimin drejt një sistemi inspektimi të standardizuar, të dixhitalizuar dhe të planifikuar mbi bazë të analizës së riskut, duke rritur transparencën, efikasitetin dhe barazinë në trajtimin e subjekteve të inspektimit