Në zbatim të ligjit nr. 99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, ligjit nr. 7961, datë 12.07.1995, “Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, të VKM nr. 330, datë 11.06.2025, “Për organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit të Përgjithshëm”, ligjit nr. 9863, datë 28.1.2008 “Për Ushqimin”, i ndryshuar, të VKM nr. 712, datë 26.11.2025, “Për përcaktimin e rregullave të hollësishme për funksionimin e komisionit të rekrutimit dhe ecurisë në karrierë”, VKM nr. 778, datë 19.12.2025, “Për përzgjedhjen, emërimin, vlerësimin e rezultateve në punë, disiplinën, shkarkimin dhe lirimin nga detyra të kryeinspektorit, inspektorit të inspektoratit Qendror dhe Inspektoratit të Përgjithshëm”, si dhe të Urdhrit të Kryeministrit nr. 144, datë 02.09.2025, ”Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Inspektoratit të Përgjithshëm”, VKM nr. 708, datë 9.9.2020 “Për organizimin dhe funksionimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit”, Urdhrit të Kryeministrit nr.7, datë 10.01.2025 “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Autoritetit Kombëtar të Ushqimit”, Rregullores së Brendshme për organizimin dhe Funksionimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, të miratuar me Urdhrin nr. 297, datë 23.6.2022 të Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe në vijim të shpalljes së datës 30.04.2026,
Inspektorati i Përgjithshëm shpall procedurën e pranimit të kandidatëve për jashtë sistemit të inspektimit, duke qenë se pas përfundimit të procedurës së lëvizjes paralele dhe ngritjes në detyrë nuk ka kandidatë të kualifikuar.
I. POZICIONI VAKANT
- Pozicioni: Inspektor
- Struktura: Sektori i Kontrollit të Mbrojtjes së Bimëve dhe Inputeve Bujqësore
- Institucioni: Drejtoria Rajonale e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Qarku Durrës
- Kategoria/klasa: IV-2
- Numri i vendeve vakante: 1 (një)
II. Konkurrimi për jashtë sistemit të inspektimit
III. KRITERET E PËRGJITHSHME DHE TË POSAÇME
Kandidati duhet të plotësojë këto kritere:
- Të jetë shtetas shqiptar;
- Të kenë zotësi të plotë për të vepruar;
- Të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar e të folur;
- Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;
- Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
- Të mos ketë masë disiplinore largimi nga puna 5 vitet e fundit;
- Të ketë aftësi shumë të mira komunikimi dhe prezantimi;
- Të zotërojë diplomë të nivelit “Bachelor” në fushat: Inxhinieri Agrare në profilet -Mbrojtje bimësh / Hortikulturë / Prodhim bimor / Agronomi e Përgjithshme ose në fusha të tjera që përshtaten me pozicionin e shpallur vakant.
- Diplomat e marra jashtë vendit duhet të duhet të jenë njohur paraprakisht pranë institucionit përgjegjës për njehsimin e diplomave, sipas legjislacionit në fuqi.
- Të ketë njohuri shumë të mira të specialitetit brenda fushës profesionale;
- Të ketë njohuri të avancuara të procedurave administrative;
- Të ketë aftësi për të përcaktuar objektivat, vendosur prioritete dhe respektuar afatet;
- Të ketë aftësi për të shqyrtuar, verifikuar dhe vlerësuar informacione komplekse;
- Të kenë njohuri të mira të procedurave administrative, si dhe në përdorimin e programeve bazë kompjuterike (MS Office; Word; Excel; Power Point);
- Preferohet të ketë njohuri shumë të mira të gjuhës angleze ose nje gjuhë tjetër të BE-së;
- Preferohet të ketë trajnim dhe certifikime në fushën e kërkuar dhe administrim publik.
IV. PËRSHKRIMI I PËRGJITHSHËM I DETYRËS
- Kryen kontrollet zyrtare në fushën e mbrojtjes së bimëve, inputeve bujqësore, prodhimit dhe tregtimit të Duhanit si dhe produkteve të tij, në të gjitha hallkat e zinxhirit për prodhimin, ruajtjen dhe tregtimin e tyre;
- Kryen kontrollet zyrtare paraprake për të vërtetuar/verifikuar nëse janë plotësuar kërkesat tekniko-teknologjike, si dhe verifikimin e dokumentacionit të nevojshëm për licencimin/pezullimin e aktivitetit apo propozim për revokimin e licencës të operatoreve të biznesit në fushën e mbrojtjes së bimëve dhe inputeve bujqësore;
- Kryen kontrollin zyrtar dhe është përgjegjës për marrjen e masave parandaluese e korrigjuese me qëllim menaxhimin e riskut në lidhje me njoftimet që vijnë nga RASFF dhe/ose ankesa nga burime të tjera informative, në fushën e mbrojtjes së bimëve, inputeve bujqësore, prodhimit dhe tregtimit të duhanit si dhe produkteve të tij, duke siguruar të dhëna të sakta dhe kthimin e përgjigjeve në Drejtorinë e Përgjithshme;
- Mbledh dhe organizon informacionin bazë, cilësor dhe sasior, në fushën e mbrojtjes së bimëve, inputeve bujqësore, prodhimit dhe tregtimit të duhanit, si dhe produkteve të tij;
- Në bashkëpunim me përgjegjësin e sektorit, ndihmon në përgatitjen e planit vjetor me bazë risku dhe marrjes së mostrave për kontrollin zyrtar në fushën e mbrojtjes së bimëve, inputeve bujqësore, prodhimit dhe tregtimit të duhanit si dhe produkteve të tij;
- Bën raportim ditor të kontrolleve zyrtare të kryera prej tij pranë përgjegjësit të Sektorit të Kontrollit të Mbrojtjes së Bimëve dhe Inputeve Bujqësore;
- Me miratimin e Kryeinspektorit rajonal bashkëpunon me policinë e rendit, tatim-taksa dhe institucione të tjera për kryerjen e veprimeve të përbashkëta ndërhyrëse në fushën e sigurisë ushqimore;
- Përgjigjet për plotësimin dhe ruajtjen e dokumentacionit që përdoret gjatë kontrollit zyrtar deri në dorëzimin e tij;
- Përditëson regjistrin e marrjes së mostrave dhe regjistrin e masave administrative;
- Raporton tek Përgjegjësi i Sektorit të Kontrollit të Mbrojtjes së Bimëve dhe Inputeve Bujqësore për mbarëvajtjen, ecurinë dhe problematikat e hasura gjatë kryerjes së detyrave të ngarkuara;
- Kryen çdo detyrë tjetër që i ngarkohet nga Përgjegjësi i Sektorit të Kontrollit të Mbrojtjes së Bimëve dhe Inputeve Bujqësore.
V. DOKUMENTACIONI I NEVOJSHËM PËR APLIKIM
Kandidatët duhet të dorëzojnë:
- Jetëshkrim i plotësuar sipas formatit europass:
- Fotokopje të diplomës (përfshirë edhe listën e notave) e noterizuar. Për diplomat e marra jashtë Republikës së Shqipërisë të përcillet njehsimi nga Ministria e Arsimit;
- Fotokopje të librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë);
- Fotokopje të letërnjoftimit (ID);
- Vërtetim të gjendjes shëndetësore;
- Vërtetim i Prokurorisë së Rrethit;
- Vërtetim i Gjykatës së Rrethit të Shkallës së Parë;
- Dëshmi Penaliteti;
- Vlerësimin e fundit nga eprori direkt;
- Vërtetimin nga institucioni që nuk ka masë disiplinore në fuqi;
- Çdo dokumentacion tjetër trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, gjuhë të huaj, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin tuaj;
V. AFATET DHE MËNYRA E APLIKIMIT
Dokumentet dorëzohen pranë Inspektoratit të Përgjithshëm, Adresa: Rr. “Muhedin Llagami”, Kompleksi Delijorgji, Godina MD Business, Kati 8, Tiranë. Afati i fundit: 28.05.2026
VI. FAZAT E KONKURRIMIT
1. Vlerësimi paraprak
- Shpallja e listës paraprake të kandidatëve që përmbushin kriteret dhe kërkesat e posaçme për procedurën e lëvizjes paralele: 01.06.2026
2. Testimi dhe intervista
- Testimi me shkrim do të zhvillohet në datën 18.06.2026, ora 10:00 pranë Inspektoratit të Përgjithshëm
- Intervista me gojë do të zhvillohet në datën 18.06.2026, ora 12:00 pranë Inspektoratit të Përgjithshëm
VIII. FUSHAT E TESTIMIT
Testimi do të përfshijë njohuri mbi:
- Ligjin nr. 99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”;
- Ligjin nr. 44/2015, “Kodi i procedurave administrative i Republikës së Shqipërisë”;
- Ligjin nr. 9131, datë 08.09.2003, “Për rregullat e etikës në administratën publike”;
- Ligjin nr. Ligji nr. 10416, datë 07.04.2011 “Për materialin mbjellës dhe shumëzues bimor”, i ndryshuar;
- Ligjin nr. 17/2020, datë 17.02.2020 “Për produktet plehëruese”;
- Ligjin nr. 15/2022, datë 03.02.2022 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 105/2016 ‘për mbrojtjen e bimëve’”.
Kandidatët gjatë testimit me shkrim do të vlerësohen në lidhje me:
Vlerësimin e njohurive të përgjithshme dhe të veçanta sipas kërkesave të pozicionit, në lidhje me;
- legjislacionin për inspektimin;
- të drejtën administrative dhe procedurën e saj;
- rregullat e etikës;
- fushat e veçanta, që lidhen me fushën e inspektimit të institucionit përkatës
Kandidatët gjatë intervistës me gojë do të vlerësohen në lidhje me:
- Legjislacionin e sipërcituar, njohuritë profesionale, kompetencat funksionale, aftësitë e komunikimit, motivimin dhe integritetin personal.
IX. VLERËSIMI I KANDIDATËVE
Vlerësimi bëhet sipas kësaj skeme:
- Testimi me shkrim – deri në 60 pikë
- Intervista me gojë – deri në 30 pikë;
- Dokumentacioni – deri në 10 pikë.