Analiza vjetore e Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Sociale: Fokus te informaliteti dhe mbrojtja e punëmarrësve

Së bashku me Ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj, dhe drejtuesit e Inspektoratit Shtetëror të Punës, u zhvillua këtë të enjte analiza vjetore e Inspektoratit të Punës dhe Shërbimeve Sociale, ku u prezantuan rezultatet e vitit 2025, sfidat kryesore dhe prioritetet për periudhën në vijim.

Gjatë prezantimit u theksuan disa problematika që vijojnë të kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, përfshirë nivelin ende të lartë të informalitetit në tregun e punës, shkeljet e vazhdueshme në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe nevojën për monitorim më rigoroz të marrëdhënieve të punës dhe të punëmarrësve të huaj, përfshirë edhe inspektimet në sektorin e medias.

Ministrja Delina Ibrahimaj vlerësoi angazhimin e Inspektoratit të Punës dhe Shërbimeve Sociale, duke theksuar rëndësinë e rritjes së efektivitetit të kontrolleve dhe ndikimit të tyre konkret në terren, si dhe domosdoshmërinë e forcimit të ndërgjegjësimit dhe llogaridhënies në mbrojtjen e të drejtave të punëmarrësve.

Në fjalën e tij, Inspektori i Përgjithshëm deklaroi se toleranca ndaj informalitetit dhe shkeljeve në tregun e punës ka përfunduar, duke kërkuar rritje të menjëhershme të përgjegjshmërisë institucionale dhe intensifikim të kontrolleve, si dhe duke paralajmëruar masa të forta ndaj çdo subjekti që shmang detyrimet ligjore apo cenon të drejtat e punëmarrësve. Ai theksoi se siguria në punë është një detyrim i panegociueshëm dhe çdo neglizhencë do të përballet me sanksione të rrepta.

Në vijim, Kryeinspektori i Punës prezantoi objektivat kryesore për vitin e ardhshëm, duke përfshirë forcimin e sistemit të inspektimit të punës, finalizimin e reformës së inspektimeve, avancimin e proceseve drejt integrimit europian përmes strategjive të qarta dhe të matshme, si edhe digjitalizimin e plotë të proceseve të inspektimit për rritjen e transparencës dhe efikasitetit.

Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit e trupave inspektuese

Vijojnë takimet intensive të Inspektorit të Përgjithshëm, z. Dashnor Sula, me Kryeinspektorët e inspektorateve shtetërore dhe drejtuesit  e trupave inspektuese aktuale, të cilat do ti nënshtrohen ristrukturimit dhe riorganizimit të trupave inspektuese në inspektorate qendrore, në zbatim të ligjit për inspektimin nr. 99/2024.

Gjatë takimeve u theksua rëndësia e angazhimit të plotë të të gjitha strukturave aktuale dhe ministrive përgjegjëse në realizimin dhe finalizimin me sukses të kësaj reforme.

Ristrukturimi i inspektorateve ndodhet në një fazë delikate dhe vendimtare dhe për këtë qëllim  Inspektorati i Përgjithshëm, përmes ngritjes së grupeve të posaçme të punës, do të ofrojë të gjithë asistencën e nevojshme për të garantuar mbarëvajtjen e këtij procesi, për krijimin e strukturave optimale në ushtrimin sa më efektiv dhe eficient të veprimtarisë inspektuese.

Gjithashtu, u bë e ditur iniciativa e Inspektorit të Përgjithshëm për ngritjen e një grupi paralel pune, i cili do të punojë për harmonizimin e strukturave dhe lidhjen e pagave, me pozicionet e punës, me funksione inspektimi, në të gjitha inspektoratet qendrore, me përfaqësues nga Inspektorati i Përgjithshëm, ministritë e linjës dhe strukturat aktuale inspektuese.

Një rëndësi të veçantë pati ritheksimi i faktit se, nuk do të ketë asnjë tolerim në lidhje me zbatimin rigoroz të detyrimeve që parashikon ligji nr. 99/2024 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”  për të gjitha strukturat inspektuese. Zbatimi i plotë dhe i njëtrajtshëm i këtij ligji do të garantojë kalimin drejt një sistemi inspektimi të standardizuar, të dixhitalizuar dhe të planifikuar mbi bazë të analizës së riskut, duke rritur transparencën, efikasitetin dhe barazinë në trajtimin e subjekteve të inspektimit